Artistët ndërkombëtarë që do të performojnë në Festivalin e Këngës
Finalja e eventit muzikor të vitit, Festivalit të Këngës në RTSH, pritet të jetë një nga netët më të shikuara në televizion dhe më të ndjekura online.
Më të mirët e dy netëve gjysmëfinale, të përzgjedhur nga një juri profesioniste do të ngjiten në skenën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë për të konkurruar për vendin e parë, i cili do të fitojë biletën për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion 2020.
Mirëpo, në skenën e Festivalit të 58-të të Këngës nuk do të ngjiten vetëm artistët shqiptarë, por edhe 3 artistë mjaft të njohur ndërkombëtarisht.
Mahmood, i cili do të ndezë natën e parë, Giusi Ferrieri, e cila do të ngrejë peshë natën e dytë dhe Eleni Foureira, e cila do të dhurojë një spektakël të pa ndonjëherë në një skenë shqiptare në natën finale.
Eleni e “Fuego” do të “zbarkojë” në Tiranë me të gjithë stafin e saj që e ndjek në eventet më të rëndësishme botërore dhe do të nisin përgatitjen për natën finale.
Këngëtarja me origjinë shqiptare do të performojë plot 15 minuta hitet e saj më të njohura, përfshirë këtu edhe “Fuego”.
Performanca do të jetë e shoqëruar nga një trupë e madhe balerinësh, me efekte piroteknike dhe mjaft surpriza të tjera që do t’i mësoni natën e 22 dhjetorit.
Nëse performanca e Eurovizionit të Elenit ju ka impresionuar, atëherë kjo në Festivalin e Këngës do të jetë “Fuego” në plot kuptimin e fjalës!