Arti i shtetit të izoluar
Një ditë para përvjetorit Pavarësisë së Kosovës, NEWBORN-it i janë rrëzuar dy shkronja për t’ia përçuar botës mesazhin: “Jo Mureve”. Por në të shumtën e rasteve, kufijtë e Kosovës janë mure edhe për artistët e Kosovës. Atyre u refuzohen vizat ose u duhet trajtim special nëpër ambasada për t’ia shpalosur botës krijimtarinë.
Në prag të 9-vjetorit të Pavarësisë, kosovarët kanë vërshuar rrjetet sociale me statuse pas lajmit se film britaniko-kosovar, “Home” u shpërblye prej Akademisë Britanike të Filmit dhe Arteve Televizive (BAFTA). Regjisori i filmit, Daniel Mulloy, ia kujtoi audiencës gjenocidin e luftës së fundit në Kosovë, duke e lidhur temën e filmit me fatin e producentëve të filmit, Arta Dobroshit, Shpend Qamilit e Shpat Dedës, si refugjatë lufte. Rrugëtimi i artistëve e sportistëve drejt majave botërore po shoqërohet me shumë vështirësi, shkruan sot Koha Ditore.
Nga Londra ka ardhur një tjetër lajm i mirë më 15 shkurt për Kosovën. Dua Lipa ka korrur një sukses të madh në karrierën e saj. Është shpallur artistja më e mirë në ndarjen e çmimeve nga “VO5 NME Awards”. Përtej La Manshit, xhudistet Majlinda Kelmendi e Distria Krasniqi, ngritën dy flamuj të Kosovës në kampionatin botëror. Me medalje të artë në qafë Majlinda e me të bronztë Distria u kthyen në Kosovë.
Me hashtagun “OurGirlsOurGold” e ka shoqëruar postimin e saj ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, e cila nuk lë sukses të sportistëve e artistëve pa e lavdëruar në “Facebook”.