Arsyetohet Buleshkaj: S’patëm kohë, andaj rekomanduam certifikimin e të gjithë kandidatëve
Drejtori i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, Yll Buleshkaj, ka dhënë detaje lidhur me rekomandimin e zyrës që ai drejton që të certifikohen të gjithë kandidatët për deputet.
Ai është justifikuar duke thënë se edhe pse kanë pasur listën e kandidatëve që kanë pasur probleme me ligjin, nuk kanë pasur kohë t’i shqyrtojnë të gjitha rastet. “Janë lajmëruar të gjitha rastet, ndoshta s’kanë qenë as vepra penale por raste të aksidenteve të lehta në trafik dhe duke mos pasur kohë t’i shqyrtojmë rast për rast, ne kemi menduar si zyre që është më mirë që ky shqyrtim të kalojë tek një institucion i specializuar si PZAP-i dhe Gjykata Supreme”, ka thënë Buleshkaj në Kanal 10, transmeton Periskopi.
Ai ka thënë se kjo arsye është shkruar edhe në letrën e rekomandimit edhe pse i kanë pasur emrat që kanë probleme me ligjin nga KGJK-ja.
Me gjithë të dhënat që ZRPPC-ja ka pasur, Buleshkaj ka konfirmuar se i kanë rekomanduar KQZ-së që t’i kalojnë listat e kandidatëve ashtu siç janë për shkak të kohës së limituar. /PERISKOPI