Arsyeja pse Manaj, Gjimishiti dhe Balliu mungojnë në ndeshjet e nëntorit
Në listën e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Edi Reja për dy ndeshjet e radhës ndaj Anglisë dhe Andorrës mungojnë emra si Berat Gjimshiti, Ivan Balliu dhe Rei Manaj.
Dy mbrojtësit kanë bërë një kompromis me trajnerin italian për të mos ardhur, ndërsa për Rei Manajn ky mosgrumbullim është për shkak të formës së dobët që sulmuesi po kalon te Specia.
Gjimshiti dhe Balliu nuk janë lënë jashtë për arsye të ndonjë dëmtimi të pësuar, pasi lojtari i Atalantas u aktivizua në pjesën e dytë, në ndeshjen e Champions-it ndaj Man United, ndërsa Ivan Balliu të shtunën ishte në fushë për 90 minuta me ekipin e tij kundër Realit të Madridit.
Mësohet se ata nuk janë grumbulluar pasi kanë zhvilluar një bisedë me trajnerin Reja dhe kanë rënë në kompromis që të mos jenë pjesë e Kombëtares për këto dy ndeshje.
Duke qenë se ndeshja ndaj Anglisë nuk ka ndonjë pritshmëri të madhe, Gjimshiti i ka kërkuar italianit që të presë sa të rikuperohet plotësisht, ndërsa nga ana tjetër, Ivan Balliu ia ka bërë të qartë Rejës përpara ndeshjes Real Madrid-Vallecano se ka një problem me rrëzët e kofshëve dhe këtë takim do ta luante me një injeksion, duke sakrifikuar edhe për faktin se luanin ndaj një skuadre si Reali.
Mbrojtësi nuk ka dashur të rrezikojë duke u përfshirë në ndeshjet e Kombëtares dhe për këtë ka gjetur gjuhën e përbashkët me Rejën.
REI MANAJ – Sulmuesi është lënë jashtë nga Reja për dy ndeshjet e nëntorit. Kjo, për shkak edhe të formës jo të mirë që po kalon te Specia, ku minutat për të kanë qenë të pakta dhe për sa i përket marrëdhënies me golin, sulmuesi nuk është zhbllokuar akoma.
Por jo vetëm kjo, Reja ka pasur edhe një lloj pakënaqësie, për shkak edhe të egoizmit të tepruar, gjë që e dëmton ndonjëherë Rei Manajn.
Ai ka marrë një ‘mesazh’ nga italiani duke lënë të kuptohet se nuk është i paprekshëm dhe në momentin që nuk po kalon një situatë të mirë, kontributi në Kombëtare nuk është i nevojshëm.