Arsenali vazhdon rrugën pa u trembur drejt titullit të Premierligës

Arsenali vazhdon rrugën pa u trembur drejt titullit të Premierligës

Arsenali është rikthyer me fitore në Premierligë, duke e vazhduar kështu serinë e fitoreve që kishte para pushimit të Kupës së Botës.

Në ndeshjen e vlefshme për javën e 17-të, skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta shënoi fitore me përmbysje kundër West Ham Unitedit.

Ndeshja e zhvilluar sonte në “Emirates Stadium” përfundoi me rezultatin 3:1. Për Arsenalin ishte kjo fitorja e katërt radhazi.

Mohamed Said Benrahma i kaloi fillimisht mysafirët në epërsi, duke shënuar nga penalltia në minutën e 26-të.

“Çekanët” shkuan në pushim me epërsi minimale, por “Topçinjtë” përmbysën gjithçka në pjesën e dytë.

Bukayo Saka barazoi fillimisht shifrat në minutën e 53-të, teksa Gabriel Martinelli pas pesë minutash (58’) e kaloi skuadrën e tij në epërsi. Braziliani shënoi pas asistimit të Granit Xhakës.

Golin e tretë dhe të fitores për vendasit e shënoi Eddie Nketiah, në minutën e 69-të.

Arsenali pas kësaj fitore ka 40 pikë dhe vazhdon kryesimin në tabelë, me shtatë pikë më shumë se Newcastle United që momentalisht ndodhet i dyti.

West Hami me 14 pikë ndodhet në pozitën e 16-të.

Shpërndaje në: