Arrestohet i dyshuari për organizim të lojërave të fatit në Gjilan
Policia e Kosovës ka njoftuar se pas marrjes së informacioneve përmes rrugëve operative, ka realizuar një operacion kontrolli në një lokal dhe disa objekte përcjellëse të këtij lokali në rrugën “15 Qershori” në qytetin e Gjilanit, me dyshimin për organizimin e lojërave të fatit.
Sipas njoftimit kontrolli është realizuar me leje dhe në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, gjatë të cilit kontroll nga zyrtarët policorë janë gjetur dhe sekuestruar si dëshmi për gjykatën: tre (3) televizor, dy (2) shtëpiza kompjuteri, dy (2) monitor, një (1) llaptop, një (1) printer, nëntë (9) tiketa të lojërave të fatit si dhe një shumë e parave të gatshme.
“Në kuadër të veprimeve hetimore, nga ana e zyrtarëve policor është identifikuar dhe arrestuar personi i dyshuar N.G. (mashkull kosovar, viti i lindjes 1971) cili dyshohet se organizonte këtë veprimtari.” – thuhet në njoftim.
PK ka bërë të ditur se me vendim të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij do të ngritët kallëzim penal për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’.