Arrestohen pesë shtetas kinezë pasi shkëmbyen 16 mijë pajisje të rreme Apple me të vërteta
Një rrjet kriminal i përfshirë në një grabitje 12.3 milionë dollarëshe është shkatërruar, duke çuar në arrestimin e pesë burrave të cilët tani përballen me burgim të rëndë.
Bëhet e ditur se burrat kanë dërguar 16 mijë iPhone dhe iPad të falsifikuar në dyqane të ndryshme të Apple dhe pajisjet kanë qenë aq realiste sa që punonjësit i kanë shkëmbyer ato me të vërteta.
Bëhet e ditur se pas shkëmbimit, pajisjet e vërteta janë dërguar jashtë vendit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Të pandehurit akuzohen se kanë përfituar nga politikat e shërbimit ndaj klientit të Apple duke vjedhur më shumë se 12 milionë dollarë”, tha prokurori amerikan, Martin Estrada.
Siç raportohet, pesë burrat, të gjithë shtetas kinezë, tani ndodhen në paraburgim.
Yang Song, Junwei Jiang, Zhengxuan Hu, Yushan Lin dhe Shuyi Xing do të përballen me akuza për vjedhje të rëndë identiteti dhe trafikim të mallrave të falsifikuara.
Të akuzuarit përballen me 20 vjet burg për secilën nga akuzat.
Një mashtrim i ngjashëm ndodhi edhe në vitin 2019 kur tre vëllezër u akuzuan se importuan 10 mijë pajisje të rreme Apple nga Kina dhe i shkëmbyen ato në SHBA dhe Kanada për të vërteta.