Arrestohen dy turq dhe një maqedon për keqpërdorim të kartelave bankare

Policia e Kosovës ka zhvilluar kontrolle në tri lokacione të ndryshme në Prishtinë të cilat kanë rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se lidhur me rastin personat e dyshuar, dy prej tyre janë shtetas turk dhe një shtetas i Maqedonisë së Veriut.
Të njëjtit dyshohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, kanë keqpërdorur kartela bankare të shtetasve të huaj dhe POS terminale të bankave vendore, dhe me këtë rast të njëjtit kanë konsumuar veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.
Në lidhje me rastin në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar: POS terminale, kartela bankare, kartelë bankare e modifikuar, para të gatshme, SIM kartela, vula me mbishkrime të bizneseve, kompjuter, telefona mobil, si dhe dokumente relevante (fatura, kupona fiskal, etj.) që ndërlidhen me veprën penale.
Me vendim të prokurorit kompetent, tre të dyshuarit janë arrestuar dhe të njëjtit ndalohen për 48 orë, derisa rasti ndodhet në proces të mëtutjeshëm hetimor.