Arrest shtëpiak ndaj dy të dyshuarve për vdekjen e 47-vjeçares që ra në hapësirën e ashensorit në Prizren

Arrest shtëpiak ndaj dy të dyshuarve për vdekjen e 47-vjeçares që ra në hapësirën e ashensorit në Prizren

Gjykata Themeore në Prizren ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj B.K dhe H.K., lidhur me rastin e 20 qershorit 2024, ku një grua 47-vjeçare kishte vdekur në Prizren, pasi kishte rënë në hapësirën e ashensorit nga kati i dytë.

Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi“, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prizren, Fitore Mehmeti, ka konfirmuar se në arrest shtëpiak është dërguar B.K (pronar i personit juridik) dhe H.K (përgjegjësi i personit juridik).

Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale “Asgjësimi, dështimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse” dhe “Rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, përcjell Klankosova.tv.

“Referuar kërkesës tuaj për informacione, Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se lidhur me rastin, më datë 21.06.2024 me urdhër të prokurorit janë ndaluar për 48 orë, dy (2) persona, B. K., – pronar i personit juridik, dhe H. K., – person përgjegjës i personit juridik, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se kanë kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” nga neni 358 paragrafi 6, lidhur me paragrafin 3 dhe me paragrafin 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afatit ligjor ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit. Gjykata Themelore në Prizren, të pandehurve të lartëcekur u ka caktuar masën e arrestit shtëpiak”, thuhet në përgjigjen e Mehmetit.

Ndryshe, Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prizrenit më 20 qershor 2024 kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se rasti kishte ndodhur rreth orës 20:50 dhe se viktima pasi kishte rënë në hapësirën e ashensorit, nuk kishte mundur t’i përballojë plagët.

“Ju informojmë se me datë 20.06.2024, rreth orës 20:50 kemi pranuar një informatë për një person të lënduar të dërguar nga Urgjenca në Emergjencën Spitalore. Pasi patrulla është angazhuar në rast, është vërtetuar që rasti kishte ndodhur në Prizren, deri te incidenti kishte ardhur pasi viktima kishte thirrur liftin për ta përdorur, dera e liftit ishte hapur dhe viktima kishte rënë në hapësirën e liftit nga kati i dytë dhe për pasojë viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore”, kishte konfirmuar Bytyqi.

Ai theksoi se viktima nuk ka mundur t’iu përballojë plagëve dhe kishte ndërruar jetë dhe se nga mjekët e Emergjencës është konstatuar vdekja e saj. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në: