Arrest shtëpiak ndaj dhjetë të dyshuarve për bixhoz në Suharekë

Arrest shtëpiak ndaj dhjetë të dyshuarve për bixhoz në Suharekë

Gjykata Themelore në Prizren-Dega në Suharekë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dhjetë të dyshuarve për bixhoz të paligjshëm. Ndaj tyre, u caktua masa e arrestit shtëpiak.

“Betimi për Drejtësi” të shtunën raportoi se të dyshuar në këtë rast janë: Lulzim Reshati, Pater Berisha, Brahim Qorri, Fazli Cikaqi, Bruno Kuzhnini, Përparim Shala, Naim Reshitaj, Sefer Bytyqi, Remzi Aliaj dhe Muhamet Shala.

Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se vendimi është marrë të dielën.

“Referuar pyetjeve tuaja për informacion ju njoftojmë si në vijim: Me datë 02.03.2025, Gjykata Themelore – Dega në Suharekë, ka marrë Aktvendim, është REFUZUAR kërkesa e Prokurorisë së Shtetit, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 10 të pandehurve, dhe ndaj tyre është caktuar masa e arrestit shtëpiak, e cila mund të zgjasë deri më datë 01.04.2025, për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri L.R., ka kryer veprën penale Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm nga neni 294 par. 2 të KP-së, kurse të pandehurit P.B., B.Q.,m F.C., B.K., P.Sh., N.R., S.B., R.A., dhe M.Sh., për veprën penale Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, në bashkëkryerje, nga neni 294 par. 2 lidhur me nenin 31 të KP-së”, thuhet në përgjigjen e Lekajt.

Ai shtoi se gjyqtari i procedurës paraprake, pasi që i ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës, dhe i ka dëgjuar pretendimet e palëve, ka arritur në përfundim se kërkesa e Prokurori të Shtetit është e pabazuar, duke e konsideruar si masë të rëndë për sigurimin e prezencës së të pandehurve në këtë fazë të procedurës penale, ndërsa ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.

Dhjetë të dyshuarit ishin ndaluar më 1 mars nën dyshimin për veprën penale “Organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

“Sipas kërkesës, medatë 28.02.2025, rreth orës 23:00 minuta, në Suharekë, në kafiterinë “R.G.Z”, i pandehuri L.R., (pronar i lokalit), me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, organizon dhe merr pjesë në organizimin e lojërave të fatit, të cilat janë të ndaluara me Ligjin Nr.06/L-155 për ndalimin e lojërave të fatit, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme dhe të fshehtë, lokalin e përdorë për lojëra të fatit, ku me rastin e lokalizimit të vendit nga zyrtarët policor kur të njëjtit tentojnë të hyjnë në lokal, dera e lokalit ishte e mbyllur me çelës nga brenda, dhe ishte me pak ndriçim, e pas tentimit të zyrtarëve për ta hapur derën, aty i pandehuri L.R., e hap derën, ku gjatë kontrollit nga zyrtarët policorë brenda në lokal në tavolinat ku kanë qenë ulur të pandehurit e lartëcekur janë hasur në total dyqind e tetë (208) letra, nëntëdhjetë e gjashtë (96) kartela me mbishkrimin AliExpress me barcode, të cilat dyshohet se janë kartela për lojërat e fatit online”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Bëhet e ditur se nga të pandehurit janë sekuestruar në total 15 mijë e 260 euro dhe 1 mijë e 200 franga zvicerane. Gjithashtu, thuhet se tek i pandehuri Reshati– pronari i lokalit të lartcekur janë gjetur letra në sasi prej 3 mijë e 326 copë, të cilat janë përdorur për lojë bixhozi natën kritike.

Shpërndaje në: