Arratisjet nga burgjet: A ka kapacitete Kosova t’i strehojë 300 të burgosur nga Danimarka?
Brenda dy muajve në Kosovë janë arratisur nga burgjet 4 të burgosur( të gjithë të dënuar me mbi 10 vjet burg). Njëri nga ta madje tallet publikisht me ministrin Xhelal Svecla përmes rrjetit social Tik Tok, e për kapjen e dikujt tjetër Policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve. Por, pas gjithë këtyre zhvillimeve ua rikujtojmë se Kosova ka bërë një marrëveshje kohë më parë ku do të strehojë 300 të burgosur nga Danimarka, shkruan Periskopi.
A ka kapacitete Kosova të strehojë të burgosurit nga Danimarka?
Kosova dhe Danimarka e nënshkruan letër-pëlqim për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez në Kosovë në dhjetor të vitit 2021. Në prill 2022, dokumenti u shndërrua në Traktat, sipas së cilit ishte paraparë që transferimi i të burgosurve të bëhej në fillim të vitit 2023.
E në maj të këtij viti Qeveria e Kosovës e ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Danimarkës, për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.
Se a ka Kosova kapacitete të mjaftueshme për strehimin e 300 të burgosurve nga Danimarka, për Periskopin ka folur deputeti i AAK-së Bekë Berisha.
“Këta po e sfidojnë shtetin, autoritetin e shtetit, këtu kanë faj edhe zyrtarët shtetëror që nuk kanë autoritet, nuk respektohen. Autoriteti duhet të shkoj në vend për të burgosurit e Kosovës, por edhe me ata të Danimarkës duhet të funksionoj sistemi”, tha Berisha për Periskopin.
Ndërsa deputeti i LDK-së, Anton Quni tha se rastet e fundit tregojnë që në këtë sistem ka brishtësi, duke shtuar se duhet të rishikohet i gjithë koncepti, si ambientet fizike ashtu edhe personeli të cilët merren me sigurinë e të dënuarve.
“Janë raste të cilat do duhej me i alarmu të gjitha institucionet, të gjithë përgjegjesit që duhet ta rishikojnë në tërsi sistemin dhe konceptin e atyre ambienteve, personelit të cilët merren me sigurinë e atyre që vuajnë ndonjë dënim. Këto rastet e fundit tregojnë që në këtë sistem ka brishtësi, duhet të rishikohet komplet koncepti, edhe tek ambientet fizike, personeli, procedurat standarte. Ku janë shumë akterë të kyçur në këtë proces të cilët do duhej të siguronin që ata që janë në vuajtje të dënimeve mos ta kenë mundësinë që të jenë të lirë dhe të vazhdojnë me natyrën e tyre nga e kaluara”, tha Quni për GazetaBlic.
Zv. Ministri i Drejtësisë mundohet ta zbut pak situatën: Të burgosurit nuk u arratisën, por u larguan
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, të shtunën, foli për arratisjet nga burgjet e Kosovës javëve të fundit, nga ku potencoi se dy të burgosurit nuk janë arratisur, por janë larguar.
“Në Kosovë kemi dy lloje të institucioneve korrektuese, lloje të mbyllura ku siguria është e lartë, të dënuarit kanë masa rigoroze dhe strikte si dhe lloje të hapura, ku të burgosurit gëzojnë të drejta dhe privilegje të shumta, pasi që të njëjtit konsiderohen se janë të gatshëm për riintegrim”, shpjegoi ai.
“Pra për këtë arsye edhe largimi nga tipi i burgut të mbyllur konsiderohet arratisje, ndërsa largimi nga burgu i hapur konsiderohet largim”, shtoi ai.
Në arrati ndodhen Enver Sekiraqa, i dënuar me 25 vjet burgim për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës, Marko Roshiq, i dënuar për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, Faton Hajrizi dhe Ujkan Metaj, i dënuar me 11 vite burg. /PERISKOPI