Arratiset njëri nga të dënuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviq
Marko Roshiq, njëri nga katër të dënuarit për vrasjen e politikanit të njohur serb të veriut, Oliver Ivanoviq, është arratisur nga drejtësia.
Roshiq ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar nga shkalla e parë e Gjykatës Themelore në Prishtinë, por i njëjti ishte liruar nga paraburgimi dhe po mbrohej në liri.
Por e gjitha nuk përfundon me kaq. Roshiq tashmë është arratisur nga drejtësia në Kosovë.
Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.
“Ditën kur është marrë vendimi ka qenë diku rreth orës 11:00. Neve na kanë sjellur vendimin për ekzekutimin e dënimit rreth orës 15:00. Po atë ditë [ditën kur është marrë vendimi nga gjykata], ne kemi shkuar për ta arrestuar por ai s’ka qenë në shtëpi dhe ne besojmë se ai nuk është në Kosovë”, tha Elshani.
Roshiq raportohet se nuk është gjetur në shtëpinë e tij dhe as nuk është paraqitur në stacion policor.
Në fund të muajit të kaluar, Gjykata shpalli aktgjykimin për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq, duke i dënuar katër të dyshuar me burgim.
22 vjet e gjashtë muaj burgim u shqiptuan gjithsej për Nedelko Spasojeviq, Marko Roshiq, Dragisha Markoviq si dhe Zharko Jovanoviq.
Kurse Sillvana Arsoviq është liruar nga akuzat me të cilat ngarkohej.
Roshiq apo i lartcekuri për arratisje është dënuar me 10 vite burgim për veprën penale të pjesëmarrjes në një grup të organizuar kriminal që organizoi një vrasje dhe me gjobë prej 10 mijë eurove.
Procesi gjyqësor në rastin e vrasjen së Oliver Ivanoviq zgjati katër vite ndërsa asnjëri nga të akuzuarit nuk ishte prezent në sallën e gjyqit në momentin e shpalljes së aktgjykimit
Duhet përkujtuar që drejtësisë së Kosovës janë duke i ikur edhe disa serbë të tjerë.
Madje ndër emrat më të përmendur padyshim se është kryekrimineli serb, Milan Radojiciq.
I dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë ku i vrarë mbeti zyrtari policor, Afrim Bunjaku, Radojiciq iku nga vendi i ngjarjes derisa dyshohet se po strehohet nga serbët në Beograd.