Armend Thaqi: Zoti na ndihmoi që shënuam golin e katërt
Ballkani regjistroi sonte fitoren e parë dhe historike në Ligën e Konferencës.
Kampionët e Kosovës fituan në udhëtim te Sivasspori me rezultatin 3:4.
Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Yeni 4 Eylul” dhe ishte e vlefshme për raundin e tretë në Grupin G.
Autori i golit të parë për Ballkanin, Armend Thaqi, pas ndeshjes tha se skuadra mund të vazhdojë me fitore, për të arritur diçka të madhe.
“Ndeshjen e filluam keq, me disavantazh. Por, treguam karakterin dhe kualitetin që e kemi në ekip. Ia falëm dy gola dhe prapë fituam. Zoti na ndihmoi që shënuam golin e katërt. Kjo fitore na ka hapur rrugën për të arritur diçka të madhe. Shpresojmë të vazhdojmë me tri pikë edhe në ndeshjen e kthimit”, tha mbrojtësi i krahut të djathtë.
Ballkani, tani me 4 pikë të grumbulluara renditet në pozitën e dytë në grup, aq sa ka edhe Sivasspori një pozitë më poshtë.
Ndeshja e radhës për Ballkanin do të jetë sërish kundër Sivassporit, më 13 tetor – por, kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.