Armë, fishekë, kompjutera e USB – Krejt çka u konfiskuan në ministrinë e Liburn Aliut dhe banesën e zyrtarit të arrestuar
Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës, Izedin Bytyqi, është dërguar në mbajtje për 48 orë nën dyshimin për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Ndërsa, N.F., dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.
Këto informata i ka dhënë Prokuroria Speciale së bashku me Policinë e Kosovës në një komunikatë të përbashkët, në të cilën bëhet e ditur edhe sa lokacione janë bastisur dhe çka është gjetur.
Lidhur me rastin, bëhet e ditur se hetimet vazhdojnë për të identifikuar çdo person tjetër që mund të jetë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Komunikata e plotë:
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës sot është zhvilluar një aksion në MMPHI, në Prishtinë, aksion ky, i cili është bërë pas zhvillimit të hetimeve disamujore.
Gjatë këtij aksioni, hetuesit eSektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës kanë realizuar arrestimin e një personi të dyshuar, kurse i dyshuari tjetër nuk është gjetur në vendbanim e tij.
I arrestuari me inicialet I.B. dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kurse i dyshuari tjetër me inicialet N.F. dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.
Gjatë bastisjes janë sekuestruar dëshmitë si në vijim:
- Një (1) revole e tipit MAUSER-WERKR me dy (2) karikator me nga shtatë (7) fishekë, dhe një kuti me pesëdhjetë e katër (54) fishekë 9 mm.
- Tridhjetë e katër (34) fletë dokumente të ndryshme.
- Tre (3) telefona, një (1) IPhone 15 ProMax, një (1) IPhone 12 ProMax, një (1) IPhone 11 ProMax
- Shtatëmbëdhjetë (17) USB.
- Tre (3) llaptop HP.
- Katër (4) shtëpiza kompjuteri si dhe
- Dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore.
Gjithashtu është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa, me lokacione në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.
Me aktvendim të Prokurorit nga PSRK-ja, i dyshuari me inicialet I.B. është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për të identifikuar çdo person tjetër që mund të jetë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.