Armatimi në veri, Sveçla: Nuk janë veç mbetje të bandave kriminale e terroriste
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka komentuar operacionet policore të dy ditëve të fundit në veri të vendit, ku u zbuluan dhe konfiskuan armë dhe pajisje ushtarake.
Sveçla ka thënë se për dy ditë radhazi ka vazhduar aksioni i Policisë së Kosovës në veri të vendit ku në lokacione të ndryshme janë gjetur sasi e konsiderueshme e armëve, municionit e uniformave dhe pajisjeve për prodhimin e kriptovalutave.
“Këto nuk janë thjeshtë mbetje të bandave kriminale e terroriste, por edhe vendstrehim i armëve për planifikimet e tyre të errëta”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook.
Tutje Sveçla ka thënë se “si Qeveri e Republikës së Kosovës bashkë me Policinë e Kosovës dhe të gjitha institucionet tjera jemi të përcaktuar qartë që rendi juridik e kushtetues, sovraniteti e integriteti, rendi dhe ligji, liria, barazia e drejtësia do të mbizotërojnë gjithandej shtetit tonë”.
Ndryshe, Policia e Kosovës brenda dy ditëve të fundit në dy raste të ndara, në Zveçan dhe Zubin Potok ka gjetur dhe konfiskuar, armë, municione, uniforma dhe pajisje ushtarake në veri të vendit.