Arkiva| Kurti e paguan shumë lirë banimin në shtëpinë 500 metra katrorë: Pse e vizitoi familjaren e qiraxhisë në Amerikë?
Pak para se të bëhej kryeministër, Albin Kurti ndërroi vendbanimin. U zhvendos në ‘Taslixhe’, një lagje periferike e Prishtinës. Albini paguan 250 euro qira për një shtëpi mjaft të madhe dy katëshe. Por pse aq pak? Kurti për kulmin mbi kokë u jep shumën për toke qiradhënësve me mbiemër Zagragja, familjaren e së cilëve e kishte vizituar zyrtarisht sa qëndroi së fundmi në SHBA.
Ishte fillimi i vitit 2021, pak para fitores së referendumit, siç e quan partia në pushtet. Pra fitores së Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare, kur Albin Kurti nga një banesë 60 metra katrorëshe në lagjen e ‘’Muhaxherëve’’ u zhvendos në një shtëpi 500 metra katrorë në ‘Taslixhe’. Kryeministri kishte thënë se këtë e kishte bërë për çështje sigurie, sepse natyrisht tash është njeri i pushtetshëm. Por, kishte dhënë edhe një arsye tjetër të lezetshme. Nuk kishte ku t’i linte librat e tij.
Shtëpinë dy katëshe e kishte marrë me qira për tre vjet, me çmim 250 euro në muaj. Kështu e ka të deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).
Por, sa është i arsyeshëm ky çmim?
Periskopi, në cilësinë e klientit të interesuar ka kontaktuar tri agjenci të Patundshmërisë në Prishtinë, ku secili agjent na kumtoi se nuk ka shansë të merret një shtëpi e tillë në lagjen në fjalë, me çmimin që paguan Kurti.
Madje nga Agjencia ‘Asset Real Estate’ na thanë se çmimet në raste të ngjashme në ‘Taslixhe’ variojnë prej 800-1500 euro në muaj.
‘’ Varet prej kushteve, ama çmimi në atë lagje për qera varion 800-1500 euro’’.
Një përgjigje të ngjashme e patën edhe nga Agjencioni për Patundshmëri ‘’Dardania’’.
‘’Ja s’ka shansë me kanë dy katë shpija 200-300 euro. Po varet sa është e rregullume, edhe i caktohet çmimi’’.
Ndërsa Omega Real Estate mendon që mund të ketë shtëpi me çmim minimal 200-300, por veç nëse enterieri i saj është ‘’llom’ .
‘’Nëse nuk është e mobilume mirë, mundet me pasë. Edhe nëse është krejt ma thellë lagjes.’’
Zagragjët, pronarë të shtëpisë ku rrinë Kurti. A ia bënë dhuratë qiranë?
Shtëpia në të cilën është vendosur kryeministri me familje është në emër të Blerim Zagragjës, një djalë i lindur dhe rritur në këtë lagje, por që në vitet e 90-ta kishte shkuar azil në njërin nga vendet skandinave.
Vëllai i tij që jeton në Kosovë, Burim Zagragja e kishte konfirmur për Gazetën Blic se Albin Kurti është zhvendosur në shtëpinë e tyre.
“Diçka e di e diçka nuk di, për rastin e shtëpisë nuk është fer nga ana jonë të flasim…. për këtë çështje mos prisni që edhe vëllezërit e mi të flasin për këtë punë … ju duhet t`i drejtoheni kryeministrit për këtë”, kishte thënë ai.
Sido që të jetë, Jeta Zagragja, vajza e Burimit po ndërvepron shpesh me dy institucionet më të larta të vendit, më konkretisht me përfaqësuesit e tyre. Ajo së fundmi u vizitua nga kryeministri Kurti në zyrën e saj në Çikago ku punon si drejtoreshë e Marketingut në kompaninë UCX. Periskopi i ka çuar pyetje asaj rreth lidhshmërisë që ka me kryeqeveritarin si familje qiradhënëse, por nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.
Ndërsa udhëtim zyrtar kishte zhvilluar edhe me presidenten Vjosa Osmani. Bëhet fjalë për një vizitë në Estoni.
Bile, vet Burim Zagragja vitin e kaluar e kishte reklamuar në Facebook një vizitë të të dy krerëve të shtetit në kompaninë e fëmijëve të tij.
Ligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave të zyrtarëve të lartë publikë, Neni 10, thotë se personi zyrtar nuk ka të drejtë të pranojë dhuratë që mund të ndikojë në ushtrimin e detyrës së tij.
‘’Personi zyrtar nuk mund të kërkojë ose të pranojë dhurata ose përparësi të tjera për vete, as për anëtarët e familjes së ngushtë, që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrave zyrtare dhe të cilat ndikojnë ose mund të ndikojnë në ushtrimin e detyrave zyrtare, përveç dhuratave protokollare dhe dhuratave të rastit me vlerë të vogël.’’
Ndryshe, kryeministri vitin e kaluar, në Agjencinë Kundër Korrupsionit kishte deklaruar se merr 1 mijë e 305 euro pagë nga Qeveria për detyrën e tij si shef i Ekzekutivit. Ai merr pagë edhe nga partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje ku është kryetar. Ndërsa bashkëshortja e Kurtit të ardhurat mujore i ka 3 mijë e 915 euro nga një kompani në Oslo të Norvegjisë./PERISKOPI/
Deklarimi i pasurisë – Kurti thotë se ka mbi 1 mijë e 500 euro në bankë