Aritmia, kur ndodh dhe si mund ta trajtojmë
Aritmia është një çrregullim i ritmit të rrahjeve të zemrës. Gjatë aritmisë, zemra mund të rrahë shumë shpejt, shumë ngadalë ose me një ritëm të çrregullt. Kardiologia Daniela Teferiçi, teksa shpjegon gjithçka që lidhet me aritminë, thekson edhe faktin se është e rëndësishme që në fillim të gjendet shkaku i saj dhe kurimi të fillojë që aty.
Doktoreshë, çfarë është aritmia dhe çfarë e shkakton?
Aritmia, nga vetë emri, është një ritëm i çrregullt i zemrës. Ka shumë shkaqe, por më kryesore do të përmendim sëmundjet e lindura apo të fituara të zemrës. Gjithashtu shkaqe të tjera të rëndësishme janë: hipertiroza, përdorimi i tepruar i alkoolit dhe i duhanit, si dhe stresi emocional.
Pse ndodh aritmia?
Ndodh kur impulsi nuk lind në mënyrë korrekte tek nyja sinoatriale, por lind në një vatër tjetër, jashtë vatrës normale. Atëherë kemi formimin e aritmive atriale, pra që e marrin zanafillën tek atriumi.
Si lind, si gjeneron impulsi dhe si përçohet?
Zemra, përveç muskulit të zemrës, përbëhet nga disa fije shumë të specializuara të cilat prodhojnë impulsin elektrik dhe tejçojnë impulsin elektrik.
Kush futet në këtë sistem?
Është nyja sinoatriale, e cila është dhe prodhuesi kryesor nga lind impulsi normal. Impulsi i gjeneruar nga nyja sinoatriale (një grup qelizash nervore që janë përgjegjëse për prodhimin e potencialit elektrik në zemër) përhapet në të dy atriumet si valë depolarizimi (vala P). Stimuli përçohet pastaj tek nyja atrio-ventrikulare ku ndalet për 1/10 e sekondit (intervali P-Q). Më pas impulsi kalon në dy degëzimet e tufës së Hisit, të majtën dhe të djathën duke shkaktuar depolarizimin e barkusheve (ventrikujve).
Çfarë është takikardia, po brakikardia?
Takikardia është shtimi i rrahjeve të zemrës mbi normën e zakonshme, mbi 100 rrahje në minutë. Brakikardia është rrallimi i rrahjeve të zemrës nën normën e zakonshme, nën 60 rrahje në minutë. Si gjatë takikardisë, ashtu dhe gjatë bradikardisë, ritmi i zemrës është i rregullt. Vlerat normale janë midis 60 dhe 100 rrahje/minute. Nyja sinoatriale ka automaticitet dhe ritmicitet. Automaticitet do të thotë që ajo e prodhon vetë impulsin dhe ritmicitet do të thotë që ky impuls prodhohet dhe tejçohet në një moment të caktuar ritmik.
Cilët janë faktorët e jashtëm që ndikojnë në aritmi?
Përveç sëmundjeve të mirëfillta të zemrës, janë edhe faktorë të jashtëm që kanë një ndikim në aritmi. Ndër këta përmendim stresin, pra faktorët emotivë, përdorimin e rregullt të alkoolit, përdorimin e rregullt të duhanit. Gjithashtu, hipertiroza duhet parë gjithmonë, sepse është shkak për një prej aritmive më
Kontakti me farmacistin
Në asnjë mënyrë nuk duhet që pacientët të përpiqen ta kontrollojnë vetë aritminë, duke u këshilluar thjesht me farmacistin. Është e rëndësishme që të gjendet shkaku se pse ka ndodhur kjo aritmi dhe në varësi të shkakut, mjeku jep mjekimin. Kështu një person që bën aritmi, por që vuan nga hipertiroza, nuk mund të bëjë trajtimin e aritmisë, sepse trajtimi nuk do të ishte efikas. Duhet korrigjuar fillimisht hipertiroza. Nëse shohim se zemra është normale, e shëndoshë, kemi të bëjmë me aritmi që ndodhin në një sfond normal kardiak dhe duhet të kërkojmë shkaqet të shpeshta.
Cilat janë llojet e aritmive?
Rrahjet premature (forma më e shpeshtë e aritmive, janë të padëmshme, zakonisht pa simptoma). Aritmitë supraventrikulare (janë takikarditë që fillojnë në atrium ose në nyjën AV. Këtu përfshihen fibrilacioni atrial, takikardia paroksizmale supraventrikulare dhe sindroma Wolff-Parkinson-White). Aritmitë ventrikulare (fillojnë në ventrikul, mund të jenë shumë të rrezikshme dhe kërkojnë kujdes të menjëhershëm mjekësor. Përfshihen takikardia ventrikulare dhe fibrilacioni ventrikular) Bradiaritmitë (kur rrahja e zemrës është më e ngadaltë se normalisht dhe e crregullt).
Si mund ta dallojmë nëse rrahjet e shpeshta janë sëmundje apo vijnë prej gjendjes emocionale?
Dallimi bëhet nëpërmjet ekzaminimeve të ndryshme ku më kryesoren mund të përmendim ekon e zemrës. Kështu përjashtojmë sëmundjen organike të zemrës. Nëse shohim se zemra është normale, e shëndoshë, kemi të bëjmë me aritmi që ndodhin në një sfond normal kardiak dhe duhet të kërkojmë shkaqet.
Cilat janë shenjat klinike?
Njerëzit i përshkruajnë si rrahje të çrregullta,për shembull, ankohen se kanë rrahje të shpeshta. Dhe kur ndiejnë rrahje të çrregullta, u krijohet mungesë rehatie në gjoks, kanë ndjenjë ankthi, marrje fryme, ndjenjë sikur po u pushon zemra. Kjo ndjenjë shoqërohet me dhimbje koke, pafuqi, dobësi. Pacientët të cilët nuk e dinë që kanë rrahje të çrregullta, e kuptojnë pasi u bie kapacietit ushtrimor, fuqia, nuk mund të bëjnë më punët që kanë pas bërë më parë, nuk mund të ngjisin shkallët etj.
A ka ndikim mosha?
Mosha varet nga shkaktarët. Kur flasim për faktorë kongenitalë, pra të lindur, sigurisht që aritmia shfaqet që në fëmijëri. Te moshat e mëdha mund të themi që sëmundja ishemike e zemrës është një nga shkaktarët kryesorë të aritmisë. Moshat e reja, veçanërisht studentët, gjatë periudhës së provimeve kanë një ngarkesë psikologjike shumë të madhe dhe kanë aritmi, më shpesh në formën e ekstrasistolave. Ekstrasistolat janë aritmitë më të shpeshta që ndodhin tek subjektet e shëndosha.
Deri ku mund të shkojnë komp-likacionet që vijnë si shkak i aritmisë?
Për të parë llojin e aritmisë tek personat e shëndetshëm, përdoret një ekzaminim qe quhet Holter dhe eshte regjistrim EKG-je 24 orëshe. Ky ekzaminim shikon se sa ekstrasistola (apo çfarëdolloj aritmie tjetër) kemi gjatë këtyre 24 orëve. Në varësi të saj, vendoset dhe për trajtimin. Kur janë shumë në numër, rreziku që mund të kete një person me aritmi të shprehur mund të jetë kardiomiopatia aritmogjene, pra vetë aritmia dëmton zemrën. Pacientët që kanë aritmi, janë të prirur për të formuar trombe në atriumin e majtë. Trombet nga atriumi i majtë mund të përhapen kudo në organe të tjera. Prandaj është e rëndësishme që këta persona të marrin antikoagulante.
Por a ka rrezik përdorimi i antikoagulanteve?
Nëse hollohet gjaku, ka rrezik për hemorragji; një pasojë që mund të jetë vdekjeprurëse. Prandaj këshillohet që gjatë kësaj kohe të bëhet analiza e nivelit të protrombinës në gjak.
Cilat ilaçe përdoren?
Për trajtimin e aritmisë përdoren antiaritmikët, betabllokuesit, të cilët mund të jenë të llojeve të ndryshme.
A rikthehet aritmia?
Aritmia rikthehet. Suksesi i mjekut është që të përpiqet ta mbajë sa më gjatë pacientin me një ritëm normal të zemrës. Faktor risku për rikthim është rimodelimi i zemrës, që nënkupton zmadhimin e saj.
A trajtohen të gjitha llojet e aritmisë?
Po, mund të trajtohen të gjitha llojet e aritmisë. Nëse nuk i mbajmë nën një ritëm normal, të paktën mbajmë një ritëm me frekuence të kontrolluar. Ka çrregullime ritmi që janë vdekjeprurëse dhe që duhet ndërhyrë menjëherë, sepse janë urgjencë. Kështu, takikardia ventrikulare dhe fibrilacioni ventrikular kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme me goditje elektrike për ta kthyer pacientin në jetë. Këto probleme zakonisht ndodhin në patologji shumë të rëndësishme.
Çfarë e shkakton vdekjen e papritur?
Fibrilacioni ventrikular mund të shkaktojë vdekje të papritur.
Cila gjini është më e prekur?
Dikur thuhej se ishin më të prekur meshkujt pasi ishin konsumatorë më të rregullt të duhanit dhe alkoolit. Por gjërat kanë ndryshuar. Edhe femrat konsumojnë duhan dhe alkool. Edhe pse në masë më të vogël, trupi i tyre është më delikat dhe mund të dëmtohen njësoj si meshkujt që konsumojnë doza të mëdha.
A është i rrezikshëm hipertensioni për aritminë?
Shumica e pacientëve që vuajnë nga hipertensioni, bëjnë aritmi. Kështu, në këtë rast, duhet trajtuar hipertensioni, më pas të korrigjohet aritmia./albeu.com/