Arifi: Takimi i papritur në Bruksel tregon se mbrapa perdeve shumëçka është duke ndodhur
Ani pse para pak ditëve thanë nga pushteti se dialogu ka ”vdekur”’, kryenegociatori për dialog me Serbinë, Besnik Bislimi sot është në Bruksel.
Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse ai do të zhvillojë takim të përbashkët me atë të Serbisë, Petar Petkoviq, apo vetëm veç e veç me zyrtarët e BE-së.
Zbatimi i marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe Ohër vitin e kaluar, pritet të jetë çështja kryesore e diskutimeve.
Këtë takim në Bruskel, e ka komentuar ish-kryenegociatorit Avni Arifi.
Ai në një prononcim për Periskopin, ka thënë se ky takim i papritur tregon se shumëçka është duke ndodhur.
“Me vet faktin se është caktuar si papritur për opinionin, flet për atë se mbrapa perdeve është shumëçka duke ndodhur. Nuk pres asgjë aq më parë që ne jemi duke hy në proces zgjedhor dhe Kurti asgjë nuk do të bëj që do të mund të shihej si “lëshuarje pe”, u shpreh ai.
I pyetur edhe për deklaratën e kryetarit të parlamentit, Glauk Konjufca i cili kishte thënë se tema mbi dialogun ka vdekur, ai tha se nuk beson që Konjufca me të vërtetë e preferon atë formë të ballafaqimit.
“Ne jemi para zgjedhjeve dhe dialogu është një temë jo aq e popullarizuar. Sa më i ashpër ndaj dialogut aq më shumë përkrahje të votuesi. E vërteta, për me “vdekë” dialogu duhet me u gjetë formë tjetër e ballafaqimit me Serbinë dhe nuk besojë që Konjufca me të vertetë e preferon atë formë të ballafaqimit”, deklaroi Arifi për Periskopin.
Ai foli edhe për shtatë kërkesat e Aleksandër Vuçiq, që sipas Arifit nuk e zgjidhin problemin mbi dialogun.
“Një listë e kërkesave maksimaliste të Serbisë që as nuk i ndihmojnë dialogut, as nuk janë në funksion të zgjidhjes së problemit”, u shpreh ai.
Ndërsa, Bashkimi Europian të hënën mirëpriti kërkesën e Aleksandar Vuçiq që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës, pasi ai vetë iu kishte kërkuar të dorëhiqeshin masivisht. Kërkesat me të cilat presidenti serb doli të premten, përfshijnë edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.
“Ne e mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiq për të vazhduar angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pozitivisht e marrim edhe thirrjen e tij për serbët e Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe të riintegrohen në të gjitha institucionet e Kosovës, nga të cilat janë larguar në vitin 2022”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano./Periskopi