Arifi: Mostakimi me Ramën është bartje e ‘belave’ personale të Kurtit në nivel institucioni
Raportet e ftohta prej kohësh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama duket se nuk janë përmirësuar. Kjo shihet në vizitën e të hënës që ky i fundit e pati në Kosovë. Kurti me Ramën nuk u takuan as në Prishtinë e as në Prizren ku u diskutua për rolin e Lidhjes së Prizrenit, shkruan Periskopi.
Për këtë gjë Qeveria e Kosovës është munduar të ia hedh fajin Edi Ramës.
Nga Zyra e Kryeministrit kanë ironizuar, duke thënë se Rama po i takon ata “që ka nevojë t’i rregullojë raportet”.
Pikërisht për këtë, Portali Periskopi ka folur me ish kryenegociatorin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, Avni Arifi.
Ai ka fajësuar Kurtin duke thënë se mostakimi me Ramën është bartje e belave të tij në nivel institcional, teksa e ka konsideruar të pajustifikueshme.
“Raportet me Shqipërinë i ka ndërtuar populli dhe i mirëmban populli, pavarësisht liderëve. Mostakimi i Kurtit me Kryeministrin e Shqipërisë është bartje e belave personale të Kurtit në nivel institucioni. Primitive dhe e pa justifikueshme.”, u shpreh Arifi.
Ai thotë se raportet me Shqipërinë janë në nivelin më të ulët, e që sipas tij, kjo sjellje e Kurtit do të ketë pasoja për Kosovën.
“Raportet institucionale me Shqipërinë janë njësoj si raportet me administratën e SHBA dhe BE. Në nivelin më të ulët prej që ekzistojmë. Sjellja e Kurtit si lider super fuqie është kurgjo tjetër veq garance së Kosovës do të i krijoj super probleme nga të cilat pasojat do të jenë afatgjate për Kosovën dhe popullin e saj”, ka thënë ish ambasadori për Periskopin.
Ish ambasadori, Avni Arifi foli edhe për raportin e Borrell-it, që pritet të publikohet.
Ai shprehet pesimist se me këtë raport do të rekomandohet heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
E kjo, sipas tij për shkak të veprimeve që Qeveria e Kurtit i ka bërë gjatë kësaj kohe.
Megjithatë, për Arifin, do të kërkohet nga shtetet e BE-së që të balancojnë masat ndaj Serbisë.
“Eshtë vështirë të pritet se Borrell do të rekomandoj heqje të masave përderisa ka vështrime të kundërta rreth asaj se a është implementuar marrëveshja e Bratisllaves dhe veprimeve të pakoordinuara të Qeverisë. E vetmja shpresë është se do të ketë vende të BE që do të kërkojnë balancimin e masave me masat ndaj Serbisë e të cilat nuk ekzistojnë”, ka thënë ai ndër të tjera./Periskopi