Argjentinë – Meksikë: FIFA zbulon se sa shikues ishin të pranishëm në stadium

Argjentinë – Meksikë: FIFA zbulon se sa shikues ishin të pranishëm në stadium

Ndeshja e Meksikës kundër Argjentinës në fazën e dytë të grupeve të Kupës së Botës “Katar 2022” u ndoq nga 88,966 shikues në “Lusail Iconic Stadium”.

Kështu kjo ishte ndeshja me më së shumti të pranishëm në shkallët e stadiumit në 28 vjetët e fundit.

Stadiumi në veri të Dohas, që do të presë finalen e Kupës së Botës më 18 dhjetor, kishte turmën më të madhe të shikuesve që nga finalja e famshme e vitit 1994 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas FIFA-s.

91,194 shikues ishin në “Rose Bowl” në Pasadena të Kalifornisë, për të parë finalen mes Brazilit e Italisë, që ishte fituar nga brazilianët pas penalltive.

Pjesëmarrja e shikuesve në ndeshjen e së shtunës kaloi me disa qindra numrin e dy ndeshjeve të mëparshme në stadiumin “Lusail”, kur Brazili mundi Serbinë dhe Argjentina humbi nga Arabia Saudite.

Rekordi për më së shumti shikues të pranishëm në një ndeshje të Kupës së Botës mbetet ai me 173,850 të pranishëm në stadiumin “Maracana” në Rio, në vitin 1950, në fitoren 2-1 të Uruguait ndaj Brazilit mikpritës të atij turneu.

Shpërndaje në: