Ardon Jashari: Zvicra është një çështje e zemrës
Ardon Jashari është futbollisti i radhës me prejardhje shqiptare që u ftua nga Përfaqësuesja A e Zvicrës.
Jashari është i lindur në qytetin Cham të Zvicrës, kurse prindërit e tij janë nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut.
Të dielën e kaluar, ai mori ftesë nga Murat Yakin për t’i bashkuar Zvicrës për ndeshjet në Ligën e Kombeve, kundër Spanjës më 24 shtator, dhe kundër Republikës së Çekisë pas tri ditësh.
Jashari u ftua te Zvicra pasi u konfirmua se Noah Okafor nuk është i gatshëm për këto ndeshje.
Mesfushori i Luzernit në një intervistë për “Blick” tregoi se kishte mbetur i “tronditur”, kur Yakin e telefonoi atë të dielën.
24 orë më vonë, 20-vjeçari ishte në fushë me yjet e tjerë të Zvicrës për herë të parë, në Bad Ragaz. Ai njihet personalisht me Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin, që gjithashtu kanë rrënjë shqiptare – ka shkruar mediumi i madh zviceran.
Jashari pranoi se Xhaka është një model për të, teksa beson se nga ai mund të mësoj shumë.
“Graniti është padyshim një model i shkëlqyer nga i cili mund të mësoj shumë”, tha ai, i cili pastaj tha se i pëlqen edhe Shaqiri: “E kam ndjekur dhe vëzhguar që në fëmijëri”.
Tutje, mesfushori i ri tha se zgjedhja se cilin shtet ta përfaqësoj është çështje e zemrës për të.
“Për mua kjo është një çështje e zemrës time. Për mua dhe familjen time është realizuar një ëndërr me skuadrën e Natit (Zvicrës)”.
Ardon Jashari është një zbulim i këtij sezoni në Superligën e Zvicrës. Ai është paraqitur në tetë ndeshje me Luzernin këtë sezon (përfshirë dy në Kupë), teksa ka regjistruar dy asistime.
Ai falënderoi trajnerin e Luzernit, Mario Frick, që i dha mundësinë për të luajtur.
“Po përpiqem të qëndroj në tokë dhe të zhvillohem brenda dhe jashtë fushës. Mario Frick më dha mundësinë për të filluar në Luzern. Nuk do ta harroj kurrë”.
Në fund, Jashari tha se kalimi i tij në një nga ligat kryesore në Evropë dhe pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve janë synimet e tij të radhës.