Apollonisë i kthehen 264 artefaktet e vjedhura
Siç raportojnë mediat e Tiranës, nuk ka të dhëna se kur janë vjedhur artefaktet, por pas hetimeve të zhvilluara nga Policia e Shtetit Shqiptar ato i janë kthyer njërit prej lokaliteteve të trashëgimisë kulturore më në zë të Shqipërisë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Vjedhjet e artefakteve arkeologjike në Shqipëri kanë filluar menjëherë pas rënies së komunizmit. Grabitësit kanë arritur që t’i shesin edhe në tregun ilegal ndërkombëtar. Por ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro-Furxhi, me rastin e prezantimit të artefakteve që i janë kthyer Apollonisë ka thënë se mbrojtja e pasurive kulturore të vendit tashmë është një strategji kombëtare, por ruajtja e tyre, sipas saj, është detyrë e të gjithëve.
“Nëse do të jemi të vetëdijshëm për thesaret e jashtëzakonshme që kemi, konkretisht banorët e Fierit dhe ne të gjithë, do të dimë t’i mbrojmë ato. Sepse është e pamundur që çdo gur apo objekt i trashëgimisë të mbrohet me një rojë apo me një polic, nëse ne të gjithë nuk i mbrojmë”, citohet të ketë thënë Kumbao-Furxhi, në një prezantim të artefakteve.