Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE do të mbetet në pritje

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE do të mbetet në pritje

Belgjika ka përfunduar kryesimin gjashtëmujor të Bashkimit Evropian dhe këtë detyrë, nga 1 korriku, për gjashtë muaj, e ka marrë Hungaria.

Gjatë presidencës belge nuk ka ndodhur asnjë lëvizje për ta shqyrtuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, që është bërë në dhjetor të vitit 2022, në fund të presidencës së atëhershme çeke.

Kosova, aktualisht, është i vetmi vend evropian, i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE, por nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Mbetet e vetmja nga dhjetë shtete të përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së pa statusin formal të kandidates.Pritjet që kërkesa e Kosovës për anëtarësim të merrej parasysh, nuk janë realizuar.

Presidenca suedeze e BE-së në pjesën e parë të vitit 2023 ka dështuar ta bëjë këtë. Pas saj, presidencën e ka pasur Spanja – vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka dashur të ketë punë me dosjen e integrimit evropian të Kosovës. Pas Spanjës, as Belgjika nuk ka bërë ndonjë hap në këtë drejtim.Arsyet më të shpeshta që janë përmendur nga vendet që kanë pasur presidencën, për mosshqyrtimin e aplikimit të Kosovës, janë lidhur me “mungesën e konsensusit të vendeve anëtare”.

Sipas procedurave të BE-së për procesin e zgjerimit, Këshilli i BE-së duhet ta shqyrtojë aplikimin e një vendi për anëtarësim në BE dhe t’i japë mandat Komisionit Evropian për të analizuar nëse ai vend i përmbush apo jo kushtet për statusin e kandidatit.Pasi Komisioni ta përpilojë mendimin dhe ta japë rekomandimin, vendimin për dhënien e statusit e marrin njëzëshëm vendet anëtare.

Kështu, me një shpejtësi të madhe, statusin e vendit kandidat e kanë marrë Ukraina dhe Moldavia, të cilat edhe i kanë nisur negociatat e anëtarësimit në BE, muajin e kaluar.Statusin e vendit kandidat e ka edhe Gjeorgjia dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor – Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina – me përjashtim të Kosovës. Formalisht, status kandidati ka edhe Turqia.

Prej se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, diplomatët e vendeve anëtare thonë se do të bëjnë përpjekje për të arritur konsensus në Këshill, pasi pesë prej vendeve anëtare – Greqia, Sllovakia, Rumania, Spanja dhe Qiproja – nuk e njohin Kosovën si shtet.Por, disa vende anëtare kanë sugjeruar se do të ishte mirë që, së paku, Këshilli t’i jepte mandat Komisionit Evropian për të analizuar se sa i përmbush Kosova kushtet për statusin e vendit kandidat.

Komisioni Evropian ka shprehur gatishmërinë që ta kryejë pjesën e vet të punës, nëse një mandat të tillë e merr nga Këshilli. Por, nga ana e Këshillit nuk ka pasur ndonjë lëvizje.

Kjo, përveçse me mosnjohjen nga pesë vendet anëtare, është arsyetuar edhe me pritjet se çfarë do të ndodhë me procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Përparimi në dialog është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë për progres në rrugëtimin e tyre drejt integrimit në BE. Kohëve të fundit nuk ka pasur progres në këtë dialog dhe kjo ka ndikuar që në mesin e vendeve anëtare, të mos ketë entuziazëm për ta avancuar rrugën drejt BE-së as të Kosovës e as të Serbisë”, ka thënë një diplomat evropian për Radion Evropa e Lirë.Sipas tij, sikur të kishte përparim në dialog, vendet anëtare do të bindeshin më lehtë edhe për vendimin rreth Kosovës.

Pas marrjes së presidencës së BE-së nga ana e Hungarisë, është paralajmëruar se ky vend do ta ketë prioritet edhe procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Hungaria e ka vënë këtë edhe në dokumentin ku përmenden prioritetet e udhëheqjes së saj me BE-në.Budapesti ka aspirata që ta avancojë procesin e negociatave me ato vende kandidate që do të jenë të gatshme.

Diplomatët nga Hungaria citohen të kenë thënë se synojnë mbylljen e disa kapitujve të negociatave të anëtarësimit me Malin e Zi, si dhe hapjen e disa kapitujve me Serbinë, me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Po ashtu, ata kanë përmendur edhe mundësinë e avancimit të Bosnje e Hercegovinës.Por, diplomatët kanë vërejtur se Hungaria nëpër takime nuk ka përmendur ndonjë veprim të mundshëm rreth Kosovës.

Diplomatët evropianë nënvizojnë se Qeveria e Hungarisë ka raporte të afërta me Serbinë dhe kjo ka ndikuar që sjellja e saj rreth Kosovës në BE dhe në disa organizata të tjera ndërkombëtare, të mos jetë aq miqësore sa ka qenë më herët.Megjithatë, Hungaria i ka vazhduar kontaktet me Kosovën. I pyetur për pritjet nga presidenca hungareze e BE-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë javën e kaluar në Bruksel se “Hungaria e ka njohur Kosovën dhe duhet t’i jepet rasti për të parë në muajt e parë të presidencës se si do të veprojë”.

Hungaria, në anën tjetër, ka shprehur pritjet që gjatë kryesimit të saj me BE-në, të bëhen pagesat e para për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor nga paketa prej 6 miliardë eurosh e planit evropian për rritje ekonomike dhe reforma në rajon.Mjetet nga kjo paketë për Kosovën dhe Serbinë janë të kushtëzuara, po ashtu, me angazhimin konstruktiv të tyre në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

Hungaria planifikon që gjatë kryesimit të saj me BE-në, të organizojë edhe një samit të përbashkët të BE-së me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ndonëse Hungaria ka raporte më të afërta me Serbinë në mesin e vendeve të rajonit, diplomatët në Bruksel nuk presin që të ketë probleme në raportet me vendet e tjera, pasi roli i vendit kryesues të BE-së është që të jetë një udhëheqës neutral i Këshillit të Bashkimit Evropian dhe t’i lërë anash prioritetet e veta nacionale gjatë periudhës gjashtëmujore./rel/

Shpërndaje në: