Apeli vërteton dënimin me 4 vjet burgim ndaj të akuzuarit për djegien e garazhit të gazetarit Selimi
Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Arsim Limani, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Limani ishte dënuar me 4 vjet burgim për djegien e garazhit të gazetarit Alban Selimi.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 15 shkurt 2024 e kishte dënuar të akuzuarin Limani me katër vjet burgim për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
Kundër këtij aktgjykimi, ankesë kishte paraqitur përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Kujtim Kërveshi, për shkak të vendimit mbi dënimin, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe të akuzuarit t’i shqiptohet dënim më i ashpër.
Kurse, mbrojtësi i Limanit, avokati Fanol Krasniqi, kishte parashtruar ankesë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit mbi dënimin, me propozimin që aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.
Por, shkalla e dytë, përmes aktgjykimit të përpiluar më 11 dhjetor 2024, gjeti se ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit nuk është e bazuar, kurse ajo e palës së dëmtuar është e palejuar.
Sa i përket pretendimeve ankimore përkitazi me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, Apeli gjeti se pretendimet e mbrojtjes së të akuzuarit nuk qëndrojnë dhe se nuk ka shkelje të cilat do të kushtëzonin anulimin e aktgjykimit të ankimuar.
Sipas Apelit, dispozitivi i aktgjykimit është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, si dhe është në përputhshmëri të plotë me arsyetimin. Aty thuhet se në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar janë përshkruar veprimet inkriminuese të të akuzuarit dhe se në mënyrë të argumentuar vërtetohet se i akuzuari Limani ia ka vënë zjarrin derës së garazhit të të dëmtuarit, duke ia dëmtuar automjetin e të dëmtuarës që gjendej i parkuar afër garazhit.
“Prandaj, në rastin konkret janë përshkruar veprimet- inkriminuese që përbëjnë elementet objektive dhe subjektive të veprës penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 par.1 të KPRK-së, duke përfshirë këtu, pastaj, edhe motivin e kryerjes së veprës penale, pra, arsyerat përse, i akuzuari i ka vënë zjarrin garazhës së të dëmtuarit, pra, bëhet fjalë për një përgatitje të shishes me benzinë, ku, më pastaj, të njëjtën e ka vënë në derën e garazhës së të dëmtuarit dhe atë pasi e kishte ndezur shishen në fjalë dhe po ashtu, në kornizën e dritares kishte shkruar fjalët “mos ha m** shumë”, fjalë këto që kanë të bëjnë me punën e të dëmtuarit si gazetar…”, thuhet në vendim.
Në vendimin e Apelit, thuhet se edhe deklaratat e të dëmtuarve, kanë vërtetuar faktet dhe rrethanat e lartpërmendura. Po ashtu, edhe nga provat materiale në shkresa të lëndës, thuhet se është vërtetuar se i akuzuari në ditën kritike ka ndërmarrë veprime inkriminuese në drejtim të veprës penale për të cilën është shpallur fajtor. Kurse, se si është bërë identifikimi i të akuzuarit, vërtetohet edhe nga fotografitë në vendin e ngjarjes.
Në aktgjykimin e Apelit, thuhet se edhe i dëmtuari Selimi ka vërtetuar faktet dhe rrethanat se si ka biseduar me tani të akuzuarin për një artikull të tij, që e ka shkruar kohë më parë si gazetar, e nga dëshmitari Rexhep Selimi vërtetohet se si ka ardhur deri tek djegia e garazhës.
Apeli vlerëson se edhe i akuzuari para Prokurorisë kishte pranuar veprimet inkriminuese të përshkruara si në dispozitiv përkitazi me vënien e zjarrit në garazh, mirëpo nuk ishte pajtuar me kualifikimin juridik të veprës penale, pra vrasjes në tentativë, njëjtë ka vepruar edhe në shqyrtim gjyqësor, por duke mohuar se nuk ka qenë qëllimi që t’i lëndojë apo t’i privojë nga jeta të dëmtuarit.
Gjithnjë sipas Apelit, nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtjes se shkalla e parë aktgjykimin e ka mbështetur edhe në provat që nuk janë proceduar fare në shqyrtim gjyqësor dhe as ato që nuk janë marrë parasysh propozimet e mbrojtësit. Sipas Apelit, nuk ka pasur propozime konkrete përkitazi me elementet e veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjitshëm”, për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor pas ricilësimit të veprës penale.
“… ajo ka bërë analizën e të gjitha provave të proceduara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe lidhur me to ka paraqitur konkludimet e veta, të cilat si të drejta, objektive dhe të ligjshme i aprovon edhe kjo gjykatë, që do të thotë se, me të drejtë ka konstatuar gjykata e shkallës së parë, se bëhet fjalë për veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356, par.1 të KPRK-së, të kryer me dashje direkte e jo sikur që pretendon mbrojtësi i të akuzuarit, se mund të flitet për vepër penale tjetër”, thuhet në vendimin e Apelit.
Mbrojtja ka pretenduar edhe se provat janë vlerësuar në mënyrë të gabuar dhe të njëanshme, rrjedhimisht se nuk janë vërtetuar fakte dhe rrethana që kanë të bëjnë me dëmin që iu është shkaktuar të dëmtuarve. Ka thënë se sipas të dëmtuarve kanë të dëmtuar vetëm veturën në vlerë 1 mijë e 500 euro, ndërsa sa i përket rrezikimit të jetës së të dëmtuarve, meqenëse ata kanë dalë nga shtëpia, sipas tij, jeta e tyre nuk ka qenë e rrezikuar, e që nuk mund të konstatohet se janë plotësuar elementet e veprës për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor.
Për këtë, Apeli konstaton se këto pretendime nuk qëndrojnë, ngase kur i është vënë flaka derës së garazhës, e dëmtuara me dy fëmijët gjendeshin në shtëpi, e pasi janë njoftuar për zjarrin nga dëshmitari tjetër, kanë dalë nga shtëpia. Pra, krahas shkaktimit të dëmit, është rrezikuar edhe jeta e të dëmtuarve.
Andaj, Apeli vlerëson se konkludimi i Themelores është i drejtë dhe se në mënyrë të padyshimtë është vërtetuar se i akuzuari ka ndërmarrë veprimet inkriminuese për çka edhe është shpallur fajtor dhe dënuar. Shkalla e dytë, vlerëson se nuk qëndrojnë pretendimet se është shkelur Ligji Penal në dëm të të akuzuarit.
Të pabazuara, Apeli i gjen edhe pretendimet përkitazi me vendimin mbi dënimin, pasi siç pretendon mbrojtja nuk janë marrë për bazë rrethanat lehtësuese, por si rrethanë rënduese është marrë e kaluara kriminale e të akuzuarit.
“Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet e cekura ankimore nuk qëndrojnë, ngase, gjykata e shkallës së parë, drejtë dhe në mënyrë të plotë i ka konstatuar dhe vlerësuar të gjitha rrethanat që ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit…”, thuhet më tej në vendim.
Apeli vlerëson se Themelorja si rrethanë rënduese ka marrë shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit, shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale, vendosmërinë e treguar në kryerjen e veprës penale, faktin se i njëjti ka qenë i dënuar edhe më parë me 5 aktgjykime të formës së prerë dhe se paraprakisht është përgatitur me mjete për ta kryer veprën penale.
Ndërsa, rrethana lehtësuese thuhet se janë marrë fakti se i akuzuari është prind, se ka shprehur keqardhje dhe është penduar.
Kurse, ankesa e palës së dëmtuar është hudhur si e palejuar ngase parashihet që pala e dëmtuar nuk mund të paraqesë ankesë për veprën penale në fjalë.
Lidhur me këtë vendim, i kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi“, i dëmtuari Selimi tha se është e rëndësishme që Gjykata nuk i ka marrë për bazë shpifjet që i akuzuari i ka bërë ndaj tij. Tha se vendimi në fjalë është precedent i mirë për të gjithë gazetarët.
“Ajo që është shumë e rëndësishme është fakti se gjykata nuk ka marrë parasysh shpifjet e ulëta që sulmuesi i ka përdorur si “mjet të fundit” për të më goditur. Po ashtu në Aktgjykimin e Apelit përmendet disa herë dhe në mënyrë të sforcuar se i gjithë rasti ka të bëjë me punën time si gazetar. Ky vendim është një precedent i mirë për gjithë gazetarët, sepse ky është njëri ndër dënimet më të larta që i është dhënë një recidivisti kriminal që guxon të ndërmarrë veprime që nuk rrezikojnë vetëm jetën e një gazetari por edhe familjes se tij”, tha Selimi.
Gazetari shtoi se për dëmet materiale dhe shpirtërore që i janë shkaktuar atij dhe familjes nga ky rast, do të ushtrojë padi civile.
“Për dëmet materiale dhe shpirtërore të shkaktuara ndaj meje dhe familjes, si pasojë e zjarrit dhe shpifjeve do të vazhdojmë me padi civile në Gjykatën Themelore; ashtu siç rekomandon aktvendimi i Apelit”, tha Selimi.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 15 shkurt 2024 e kishte dënuar të akuzuarin Arsim Limani me katër vite burgim për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Në aktgjykimin e plotë, Themelorja ka renditur arsyet se pse të akuzuarit iu rikualifikua vepra penale.
Limani akuzohej se në mars të 2023-ës, ia dogji garazhin redaktorit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Alban Selimi.
Fillimisht, Limani ishte ngarkuar me veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mirëpo gjatë shpalljes së aktgjykimit, kjo vepër u ricilësua në “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Sipas Gjykatës, nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor është arritur të formësohet figura e veprës penale të “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm”, marrë për bazë edhe faktin se Limani kishte lënë mesazhin “Mos ha m*t shumë”. Andaj, sipas gjykatës, fillimisht me këtë mesazh nuk është konsumuar vepra penale e vrasjes së rëndë në tentativë, pasi që si vepër qëllim ka vrasjen, e që nga mesazhi i lënë arrihet të vërtetohet se qëllimin i Limanit nuk ka qenë vrasja.
Sipas vendimit, kualifikimi juridik i bërë nga ana e organit të akuzës, nuk e detyron gjykatës që dënimin e të akuzuarit ta bëjë lidhur me atë kualifikim juridik, andaj edhe sipas gjykatës nga provat e prezantuara është formësuar vepra penale e “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm”. Themelorja theksoi se një rikualfikim i tillë është bërë si rrjedhojë e analizës së plotë dhe të drejtë të provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor (Raporti analitik i video-incizimit, foto-dokumentacioni, CD, deklarata e dëshmitarëve A.S, V.M-S, dhe R.S).
Rikualifikimi nga vepra penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 173, par.1, pika1.5 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, në veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, par.1 te KPRK-së, është rrjedhojë e një analize të plotë dhe të drejtë të provave të administruara në gjykim.
Sipas shkallës së parë, fakti se nuk ka ekzistuar qëllimi i vrasjes së të dëmtuarit Alban Selimi nga i akuzuari Limani, vërehet edhe nga rrethana që veprimi i Limanit është ndërmarrë kur i dëmtuari Selimi nuk ka qenë në shtëpi dhe se nëse do ekzistonte dashja për vrasje do të bënte kur Selimi do të ishte në shtëpi.
“Nëse i akuzuari kishte qëllim që të vriste të dëmtuarin do të kishte vepruar kur i dëmtuari do te ishte në shtëpi”, thuhet në vendim.
Gjithashtu, gjykata në vendimin e saj ka sqaruar se nga provat e administruara gjatë procesit gjyqësor nuk është arritur të provohet se cili ka qenë shkaku që ka mbetur vepra në tentativë, andaj edhe nuk formësohet vepra penale e vrasje së rëndë në tentativë.
“Po ashtu nga provat e administruara nuk u provua se cili ka qenë shkaku që ka mbetur në tentativë vepra penale Vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 pika1.5 lidhur me nenin 28 të KPRK-së”, thuhet tutje në këtë vendim.
Ndërkaq, lidhur me vendimin mbi sanksionin penal, Themelorja ka sqaruar se për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” minimumi i dënimit varion nga gjashtë muaj e deri në 5 vite dhe se me shqiptimin e dënimit prej 4 vite burgim, gjykata është brenda kufijve ligjorë.
Si rrethanë rënduese, Gjykata në rastin konkret ndaj Limanit ka llogaritur shkallën e lartë të pjesëmarrjes së të akuzuarit, i vendosur për të kryer veprën penale, pasi që paraprakisht ka kryer parapërgatitjet duke marrë shishen me benzinë dhe faktin se ka qenë i dënuar edhe më parë. Kurse, si rrethanë lehtësuese ka gjetur se Limani ka shprehur pendim dhe keqardhje.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 18 gusht 2023, thuhet se më 16 mars 2023, në garazhin që është ngjitur me shtëpinë e tani të dëmtuarit Alban Selimi, në Fushë-Kosovë, i akuzuari Arsim Limani nga motive deri më tani të panjohura, ka tentuar që ta privojë nga jeta të njëjtin, i cili në ato momente nuk ishte në shtëpi, duke rrezikuar jetën e anëtarëve të tjerë të familjes, përkatësisht bashkëshortes së tij dhe dy fëmijëve. Këtë tentativë, i akuzuari thuhet se e ka bërë pasi është afruar tek dera e garazhit dhe aty ka hedhur një shishe benzinë të ndezur, ku flaka ka përfshinë garazhin, e nga temperatura e lartë është dëmtuar vetura e të dëmtuarve. /BetimipërDrejtësi/