Apeli kthen në rigjykim rastin ndaj zyrtarit të Qeverisë së Kosovës

Periskopi.com Lajme

Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka kthyer në rigjykim rastin e të akuzuarve Zahir Bajrami dhe djalit të tij Ardian Bajrami, raporton Periskopi.

Drejtori për Buxhet dhe Financa në Zyrën e Kryeministrit, Zahir Bajrami ishte shpallur fajtor, para disa muajve nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe ishte dënuar më 1 vjet e 6 muaj burgim. Ndërsa, i akuzuari tjetër, për veprën penale të mashtrimit, nga neni 335 i KPRK-së, dhe ishte dënuar me 1 vjet burgim më kusht.

“Gjykata e Apelit, duke shqyrtuar aktgjykimin e ankimuar sipas pretendimeve ankimore të mbrojtësve të akuzuarve, por edhe sipas detyrës zyrtare, gjen se aktgjykimi i shkalles se parë, është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 i Kodit të Procedurës Penale, se dispozitivi i aktgjykimit është kundërthënës me arsyetimin e aktgjykimit dhe me përmbajtjen e shkresave të lëndës, ngase nuk janë paraqitur arsyet mbi faktet vendimtare”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Zahir Bajrami sipas aktakuzës nga viti 2012 disa herë është takuar me të dëmtuarin Elsadat Musliji, të cilit i ka premtuar se përmes pozitës së vet, do të ndikoi në Gjykatën e Apelit për heqjen e dënimit prej tre vitesh burgim.

Më 9 shkurt 2017, përmes djalit të tij, të pandehurit Adrian Bajrami, të dëmtuarit Elsadat i’a marrin nga 10 mijë euro./Periskopi