Apeli e ktheu në rivendosje vendimin për paraburgim ndaj “Currit” duke u thirrur në raporte mjekësore që Themelorja thotë se s’i posedonte

Apeli e ktheu në rivendosje vendimin për paraburgim ndaj “Currit” duke u thirrur në raporte mjekësore që Themelorja thotë se s’i posedonte

Ismet Osmani i njohur si “Curri”, i arratisur për tentim vrasje në Graçanicë, më 1 korrik 2024 kishte munguar në gjykimin që po mbahet ndaj tij dhe katër të tjerëve për fajde, detyrim dhe mashtrim, mungesë për të cilën Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte caktuar 30 ditë paraburgim, por Apeli e kishte kthyer vendimin në rivendosje, duke u thirrur në raporte mjekësore, për të cilat shkalla e parë thotë se kjo e fundit nuk i posedonte.

Fillimisht, Themelorja me rastin e caktimit të paraburgimit ia kishte revokuar Currit masën e dorëzanisë prej 50 mijë euro, pasi që kishte munguar në seancën e 1 korrikut edhe përkundër se ka qenë i njoftuar lidhur me pasojat e mosrespektimit të dorëzanisë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Këtë vendim, e kishte marrë trupi gjykues me këtë përbërje: kryetare e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi dhe anëtarë gjykatësit Gent Beka dhe Adnan Kamberi.

Në vendimin e Themelores për caktim të masës së paraburgimit dhe revokimin e dorëzanisë ndaj Osmanit, ishte theksuar po ashtu se ndaj tij është aktiv edhe një fletarrest tjetër, duke u vërtetuar kështu njoftimi i Policisë se i njëjti gjendet në arrati dhe nuk ka mundur të dorëzohet ftesa për seancë.

Ndërkaq këtë vendim, Apeli më 15 korrik 2024 e ka kthyer në rivendosje pas ankesës së mbrojtësit të Osmanit, avokatit Besnik Berisha me arsyetimin se Themelorja me rastin e caktimit të paraburgimit nuk ka marrë për bazë raportet mjekësore të të akuzuarit, të ofruara nga avokati Berisha.

Vendimi i Apelit është marrë nga kolegji i gjyqtarëve me kryetare Kadrije Goga-Lubishtani dhe anëtarë gjykatësit, Xhevdet Abazi dhe Hashim Çollaku.

Lidhur me këtë vendim, fillimisht “Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në Gjykatën Themelore në Prishtinë për të kuptuar nëse kjo gjykatë i ka pasur në shkresa të lëndës raportet mjekësore. Mirëpo, në përgjigjen e Gjykatës mohohet një gjë e tillë.

“Gjykata e shkallës së parë para mbajtjes së seancës gjyqësore të datës 01.07.2024 nuk ka pranuar asnjë raport mjekësor nga i akuzuari apo mbrojtja e tij lidhur me të akuzuarin Ismet Osmani”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Përveç kësaj, Gjykata sqaron se asnjëherë nuk kanë pranuar asnjë raport mjekësor për Osmanin në seancën e shqyrtimit gjyqësor.

“Për me tepër mbrojtja e të akuzuarit nuk ka prezantuar asnjë raport mjekësor (provë materiale) në seancën e shqyrtimit gjyqësor apo se do tʹi sjell ndonjë raport mjekësor, me të cilën do të vërtetohej se i akuzuari është në trajtim mjekësor dhe e ka të pamundur prezencën në seancë gjyqësore”, thuhet më tej në përgjigjen e gjykatës.

Dhe krejt në fund, Themelorja sqaron se avokati Berisha me rastin e parashtrimin të ankesës ndaj vendimit për caktim të masës së paraburgimit, i ka bashkëngjitur raportet mjekësore.

“Mbrojtja me rastin e ushtrimit të ankesës kundër Aktvendimit PKR.nr.707/2021, të datës 01.07.2024 te Gjykatës Themelore në Prishtinë, ia ka bashkangjitur ankesës disa raporte mjekësore”, thuhet në përgjigjien e Themelores.

Lidhur me këto përgjigje, “Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje edhe në Gjykatën e Apelit për të ditur se mbi cilën bazë ka konstatuar se Themelorja nuk ka analizuar drejt dhe në hollësi raportet mjekësore të ofruara nga avokati Berisha. Mirëpo, deri në publikimin e këtij artikulli, shkalla e dytë nuk ka kthyer përgjigje.

Aktakuza ndaj Ismet Osmanit i njohur si “Curri”, Sami Nikës, Ilir Bojkut, Mentor Maqanit dhe Adil Thaqit, ishte ngritur më 19 nëntor 2021.

Pesë të akuzuarit, në seancën e mbajtur më 15 korrik 2022 ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale që u vihen barrë.

Më 23 nëntor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendim kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Kosovare Kelmendi, Besnik Berisha, Naser Sopjani dhe Artan Qerkini.

Kurse, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar aktvendimin e Themelores përmes të cilit ishin refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ndryshe, Osmani po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprën penale të fajdesë dhe detyrimit së bashku me Sami Nikën, Ilir Bojkun, Mentor Maqanin. Kurse, Adil Thaçi ngarkohet për veprën penale “Mashtrimit”.

Shpërndaje në: