Anulohet seanca për 400 kg kokainë të ardhur nga Brazili
Për shkak se anëtarët e trupit gjykues gjenden me angazhime në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), është anuluar seanca e paraparë për të martën për rastin e 400 kg kokainë të vendosur në mish të ngrirë që kishte ardhur nga Brazili në Kosovë.
Anulimin e kësaj seance e bëri të ditur kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli.
Anëtarë të trupit gjykues që kanë prezantuar në seancat e kaluara në këtë rast, janë gjykatësit Valon Kurtaj dhe Valbona Musliu-Selimaj.
Në këtë rast, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri dhe katër të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi dhe Fehmi Bytyqi.
Bashkë me ta akuzoheshin edhe Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, por pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë çështja penale ndaj tyre ishte veçuar.
Ndryshe, i akuzuari Hyzri Sheqiri pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, është dënuar me 7 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale. Kurse, i akuzuari Naim Morina pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie, është dënuar me 6 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale.
Në këtë shqyrtim gjyqësor kishte ndryshuar trupi gjykues, ku gjyqtari Arben Hoti është ndërruar me gjyqtarin Valon Kurtaj.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar ekskluzivisht për dosjen e Prokurorisë lidhur me këtë rast, ku akuzohet pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, si dhe Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.
Në këtë aktakuzë, Prokuroria ka propozuar të konfiskohen 400 kilogramë kokainë, makina, armë e rreth 26 mijë eurove. /BetimipërDrejtësi/