Anulohen trajnimet e Policisë, sanksionohet’ nga ShBA’ja

Anulohen trajnimet e Policisë, sanksionohet’ nga ShBA’ja

Disa trajnime të ndryshme të Policisë së Kosovës që janë kryer deri së fundmi në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane, janë anuluar ka mësuar televizioni nga burime të afërta me këto zhvillime. Informacionet as nuk janë pohuar por as mohuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Ambasada e SHBA-së nuk ka kthyer përgjigje.  Këto po vlerësohen si zbatim i asaj çka paralajmëroi ambasada amerikane, se veprimet e Qeverisë në veri do të ndikojnë në natyrën e bashkëpunimit me MPB-në dhe vartësit e saj.

Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës për një kohë nuk do të jenë pjesë e trajnimeve ndërkombëtare të organizuara e mbështetura nga SHBA-ja.

 

Siç ka mësuar Dukagjini nga burime të afërta me këto zhvillime, krejt kjo është bërë si formë sanksionimi për veprimet e Qeverisë dhe Policisë në veri të Kosovës, kur mbylli komunat paralele serbe.

 

“Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, kishte paralajmëruar atë kohë Ambasada amerikane në Prishtinë.

Këtë mërkurë, ata nuk janë përgjigjur në pyetjet e televizionit nëse kanë shkëputur bashkëpunimin e tillë me Policinë.

Se zyrtarët policor janë lënë jashtë këtyre trajnimeve, nuk është pohuar por as mohuar nga Policia e as nga Ministria e Punëve të Brendshme, të cilat i ka pyetur televizioni.

 

Informacione të tilla kanë edhe ish-drejtues të Policisë. Rashit Qalaj tregon për trajnimet që ai e di që nuk po mbahen e po përjashtohen zyrtarët policor kosovar.

“Trajnimet qe janë mbajtur në qendrën Marshall në Gjermani dhe pastaj trajnimet në FBI. Ju e dini që Kosova është një ndër vendet e pakta në rajon që ka dërguar me vite të tëra police dhe polic në FBI dhe fatkeqësisht edhe pse ka qenë një lloj përzgjedhje gjatë këtyre dy-tri viteve se kush do të shkojë, si pasojë e masave që është duke i aplikuar shteti amerikan ndaj Kosovës në këtë rast fatkeqësisht edhe ndaj Policisë, nuk kemi trajnime në FBI dhe nuk kemi trajnime në qendrën “Marshall”, ka thënë Qalaj.

 

Koordinimin në situata të tilla, e vlerëson të domosdoshëm, ish-zv.ministri i Brendshëm, Valdet Hoxha.

Sipas tij, raste të tilla dëmtojnë shumë institucionin e Policisë së Kosovës.

 

“Përveç mungesës së trajnimeve adekuate, kjo si simbolikë rëndon më shumë. Pra nga kush mund të vije ky sanksionim. Prandaj, institucionet e vendit duhet të jenë shumë të kujdesshëm në marrjen e veprimeve pavarësisht nëse janë ligjore apo jo. Koordinimi është i domosdoshëm e i paalternative sepse kemi vetëm një portë për tu integruar në botën demokratike dhe për të hyrë në atë portë sot e ilustroi shumë mirë ambasadori amerikan se çka nuk duhet bëhet në atë portë”, ka thënë Hoxha.

Jo vetëm për aksionin e mbylljes së komunave paralele por përgjithësisht dhe veçanërisht për veriun e Kosovës, ndërkombëtarët kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës se nuk po bashkëpunon dhe bashkërendon veprimet.

Shpërndaje në: