Ankthi që s’do duhej ta kisha për fëmijën tim

Ankthi që s’do duhej ta kisha për fëmijën tim

Kur vajza ime ka mbushur 6 muaj, jam kthyer në punë. Padyshim, secila nënë që do të kishte mundësi të rrijë 24 orë me fëmijën e vogël, do ta bënte këtë. Por, me gjasë, të rralla janë nënat që kanë luksin të qëndrojnë me fëmijët e tyre të vegjël tërë ditën, një vit, dy vite…5 vite.

Ankthi që vazhdon të më ndjekë që nga atëherë, është: çka do të bëhet në momentin kur do ta nis vajzën për në çerdhe?

Shumë nëna si unë, tashmë kanë fëmijët e tyre në çerdhe. Por unë, vazhdoj ta shtyj këtë opsion. Përreth meje rëndojnë llafet e ‘socializimit të fëmijës’, ‘vjershat që po i mëson në çerdhe’, ‘numrat…’, etj.

Dhe mendohem: Nesër do ta dërgoj vajzën në çerdhe.Pse të mos mësojë edhe vajza ime vjersha, numra?

Më pas, nisin bisedat e kequshqyerjes,problemeve të shumta në çerdhe, mosllogaridhënies, qortimet në raport prind-edukatorë dhe e kundërta.

Vetëm një rast: Po udhëtoja javën e kaluar për në Gjilan. Afër meje ishte ulur një nënë me fëmijën në krah dhe filluam bisedën, meqenëse djali i saj ishte sa vajza ime. 1 vjeç e gjysmë.

Ja disa detajet që m’i tregoi: Ajo ka dërguar djalin në (një x) çerdhe dhe është detyruar ta largojë sërish. Ajo më tha se djalit i kanë dhënë të hajë gjysmë banane në ora 9:00 dhe dikur në orën 14 e kanë ‘lutur’ sërish të hajë diçka. Më tha se ka kërkuar listën e ushqimeve në çerdhe, jo në formë inspektimi, por në mënyrë që kur djalin ta kishte në shtëpi, të mos ia përgatiste ushqimine  njëjëtë, për shembull. Nuk ia kishin lejuar këtë. Pra, biseda, rrëfime të llojllojshme. Disa të japin kurajo, disa të fusin në ankth që nuk përfundon.

Si prind i ri, fillon të mendosh: A ekziston diku një çerdhe ideale për fëmijën tim? Natyrisht, ‘ideale’ nënkupton një çerdhe ku fëmija im do të ushqehet mirë, do të trajtohet mirë, nëse qan njëherë, dy herë, tri herë, çka do të ndodh? Sepse, nuk dua që fëmija im të mësojë vjersha nëse nuk është ushqyer mirë, të kuptohemi.

E kur fillon të mendosh se me siguri ekziston një e tillë, përnjëherësh, të shfaqet një xhirim, sikur rasti i fundit në Shqipëri.

E pastaj fillon të mendosh se ku jetojmë? Dikush mund të thotë se ‘gjëra të tilla ndodhin’. Pra, çmenduria, me gjasë është një ‘rrjedhë’ që nuk ndalet kollaj.

Mirë. Por, rastet e tilla veç po shtohen. Mua ende më përcjellin fotografitë e vajzës së vogël nga çerdhja në Pejë, ku është rrahur e kafshuar. Hej, është kafshuar?!!

Pra, a po i ‘dorëzojmë’ fëmijët tanë te kanibalët, te psikopatët, të shizofrenët, apo te edukatorët?

Në një ankth të tillë që nuk përfundon, të bie në mend vetëm një pyetje: A jep dikush përgjegjësi për këto gjëra dhe a ka shteti ndonjë rol në këtë drejtim?

Si do të mund të vazhdojmë të jetojmë me ankth, përderisa duhet të punojmë për familjet, fëmijët tanë?

 

 

Shpërndaje në: