Ankth në Hollywood! Nga dhuna dhe kërcënimet te jashtëqitjet: Johnny vs Amber

Ankth në Hollywood! Nga dhuna dhe kërcënimet te jashtëqitjet: Johnny vs Amber

Beteja ligjore e Johnny Depp dhe ish-bashkëshortes, Amber Heard, është një nga çështjet më të diskutuara të momentit dhe për hir të së vërtetës, aq shumë janë përfolur detajet tronditëse të martesës së tyre – nga episodet e pretenduara të dhunës e deri te jashtëqitjet në krevat – sa nuk është çudi që njerëzit e kanë humbur fillin se çfarë po ndodh realisht me Depp-Heard. Shto këtu edhe faktin që përflitet për gjyqe në Londër dhe të tjerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa vështirë të kuptohet qartë se çfarë po ndodh.

Për një rifreskim: Aktualisht është duke u zhvilluar java e dytë nga një seri tre-javore seancash gjyqësore në Londër, për një padi civile për shpifje të ngritur nga Johnny Depp kundër tabloidit britanik, The Sun, për etiketimin që i bënë aktorit gjatë artikujve të tyre. The Sun e quajti Johnny Deep “dhunuesh grash”, pa vendosur “i akuzuar si [dhunues grash]” ose “pretendohet se është [dhunues grash]” për sa kohë bëhej fjalë për akuza dhe pretendime të ish-bashkëshortes dhe jo për fakte të vërtetuara në gjykatë.

Heard, 34 vjeç, ka vendosur t’i dalë në mbrojtje The Sun. Ajo ka akuzuar Depp për dhunë të përsëritur dhe situata të rrezikshme të shkaktuara nga përdorimi i drogës që nga koha kur u martuan në 2015-n e deri sa finalizuan procedurat e divorcit në 2016-n. Divorci i tyre u finalizua përfundimisht në 2017-n.

Depp i ka mohuar në mënyrë kategorike akuzat e Heard duke pretenduar se është ai personi i dhunuar në marrëdhënie. Të enjten, shefi i sigurisë së Depp, Sean Bett, dëshmoi në gjykatë se “Heard abuzonte verbalisht dhe fizikisht me Johnny Depp gjatë gjithë marrëdhënies” dhe se në shumë raste ai ishte dëshmitar i episodeve të dhunës. Heard u përgjigj duke thënë se ai po mbron punëdhënësin e tij, ndërsa Bett theksoi: “Mund të më thuash çfarë të duash, por unë nuk po gënjej.”

Më herët në gjyq, në shkurt, The Sun paraqiti në gjykatë materiale ku Depp kërcënon me vdekje Heard. Referuar materialeve, në nëntor të vitit 2013, Depp i dërgoi një mesazh aktorit Paul Bettany ku shkruante: “Le ta djegim Amber.” Në të njëjtën ditë, dërgoi një tjetër mesazh ku shkruante: “Le ta mbysim para se ta djegim! Do përdhunoj kufomën e saj të djegur për t’u siguruar që ka vdekur.”

Mesazhet u paraqitën nga The Sun për të vërtetuar se Depp ishte vërtet abusiv dhe i dhunshëm, por ai i mohon këto akuza. Heard thotë se Depp e dhunoi në një avion privat në maj të 2014-s. Avokati i Depp thotë se mesazhet vërtetojnë të kundërtën.

Po në shkurt, Johnny Depp dhe avokatët e tij paraqitën një regjistrim me pretendimin se vërtetonte se ish gruaja e tij, Amber Heard ishte në fakt dhunuesja dhe jo e dhunuara. Në audio dëgjohej Depp dhe Heard që debatonin. Debati merrte përmasa fizike. Heard pranonte, sipas transkriptit, se nisi një sherr fizik. Më pas, Depp i thoshte se ajo e gjuajti me grusht. “Zemër, nuk të gjuajta me grusht… Nuk e di ku i kisha duart ekzaktësisht, por je shumë mirë. Nuk të lëndova, nuk të gjuajta me grusht, thjesht të rashë,” shprehej Heard. Sipas avokatit të Depp, regjistrimi ishte i vitit 2015. Në regjistrim, Depp i shprehej Heard se do ta linte nëse ajo vijonte dhunën.

Heard i përgjigjej duke thënë se s’premton dot të jetë perfekte. “S’të premtoj dot që s’do zihemi më fizikisht. Ndonjëherë bëhem kaq me nerva sa e humbas,” vijonte ajo. “Të premtoj që do bëj gjithçka për të ndryshuar.” Avokatja e Heard tha asokohe: “Fakti që është grua, që zihet apo që i kthen fjalën, nuk do të thotë që s’ka vuajtur abuzimin dhe dhunën e partnerit të saj.”

Për më tepër, kjo është vetëm pjesa e parë. Pak më vonë gjatë këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, Depp dhe Heard do të shkelin sërish në dyert e gjykatave në një sallë gjyqi në Virginia, ku Heard akuzohet nga Depp për shpifje.

Në mars të 2019-s, Depp paditi Heard për shpifje për plot 50 milionë dollarë. Sipas Depp, akuzat e Heard se ai e ka dhunuar ishin të pavërteta. Depp dhe avokatët e tij thonë se këto akuza i shkatërruan karrierën aktorit dhe i kushtuan shumë para. Akuzat e Heard u bënë publike kur ajo kërkoi një urdhër mbrojtjeje në 2016-n, shkurtimisht pas divorcit si pasojë e dhunës.

Ankth në Hollywood! Nga dhuna dhe kërcënimet te

Ish-partneret e Depp, këngëtarja franceze Vanessa Paradis, me të cilën ka dy fëmijë, dhe aktorja Winona Ryder, e dashura e tij në vitet 1990, kanë paraqitur dëshmi që i dalin në mbrojtje Depp. Në vija të përgjithshme, ja çfarë është diskutuar në gjyq së fundmi.

Çështja e jashtëqitjes: Në prill të vitit 2016, shërbyesja prej shumë kohësh e Depp gjeti jashtëqitje në një nga shtretërit e shtëpisë së tyre në Los Angeles, në mëngjes, një ditë pas festës së 30-vjetorit të Heard, ku ajo pretendon se ish-çifti u konfliktua dhe Depp e gjuajti Heard me shishe. Ai e mohon këtë akuzë.

Heard “fajësoi” një nga dy qentë e saj për incidentin, por Depp ishte i bindur se bëhej fjalë për jashtëqitje njeriu, sipas deklaratës së shërbyeses. “Nuk la qeni tre ose katër kile [jashtëqitje],” tha ai në gjykatë. “Unë jam i bindur që ishte zonja Heard vetë, ose një prej miqve të saj.”

Incidenti me gishtin e Johnny Depp: Si pjesë e listës ku përshkruhen 14 episode dhune të pretenduara, Heard thotë se përjetoi një përvojë të hidhur tre-ditore në mars të vitit 2015 në Australi, ku Depp po xhironte “Pirates of the Caribbean”. Depp kundërshton akuzën e saj, por pretendon se patën një zënkë dhe gishti i tij u këput nga kocka. Ai thotë se Heard e gjuajti me një shishe vodka, ndërsa ajo thekson se nuk ishte në dhomë në atë kohë. Depp pranon se përdori gjak nga gishti i copëtuar për të shkruar mesazhe në pasqyrë, të cilat u treguan në gjykatë.

Përdorimi i drogës: Depp pranoi se ka përdorur drogëra të forta gjatë jetës së tij, por dëshmoi se po përpiqej të hiqte dorë nga këto zakone të këqija gjatë periudhës së martesës. Ai pretendon se Heard nuk ishte “shenjtore” kur vjen puna te droga dhe se përdorte kokainë.

Akuza për përdorimin e një historie përdhunimi: Heard akuzohet se ka përdorur historinë e një gruaje të përdhunuar. Të mërkurën, në sallën e gjyqit, Kate James, ish-asistentja personale e Heard, tha se kohë më parë i kishte thënë Amber Heard historinë e saj tronditëse të abuzimit seksual në Brazil. Ajo tha se ishte e tronditur nga fakti që Heard dyshohet se shfrytëzoi historinë e saj për të fituar simpatinë e gjyqtarëve. “Ajo i referohet një përdhunimi që më ndodhi 26 vite më parë. Ajo e përdori historinë. Unë jam e mbijetuar e dhunës seksuale dhe është shumë serioze përdorimi i historive të tilla në rast se nuk keni qenë vetë viktimë.”

Burimet: USA News, The Guardian, Variety & Deadline

Shpërndaje në: