Anëtari i PDK’së në KQZ fajëson DokuFestin për dhunimin e shtetases angleze në Prizren

Periskopi.com Lajme

Gjykata Themelore e Prizrenit  ka njoftuar se para disa ditësh është dhunuar seksualisht një shtetase angleze në Prizren dhe se të dyshuarit i është caktuar tashmë masa e paraburgimit prej një muaji.

Lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe shefi ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, postimin e të cilit në Facebook edhe e kanë kundërshtuar, raporton Periskopi.

Është anëtari i KQZ’së nga radhët e PDK’së, Ilir Gashi që ka tentuar ta relativizojë këtë ngjarje, duke fajësuar festivalin ndërkombëtar DokuFest i cili po mbahet tash e sa ditë në qytetin e Prizrenit.

Ai poshtë postimit të Kryeziut ka arsyetuar dhunën seksuale ndaj shtetases angleze, duke thënë se së pari duhet të ndalohet përdorimi i substancave narkotike në këto evente.

‘Para se te kerkohet ndalimi i dhunes ne keso evente, duhet kerkuar ndalimi i perdorimit te substancave narkotike qe fatkeqsisht jan shumm pikrisht edhe gjat DokuFestit! Jam thellsisht i bindur se pas nje analize te tille ktu do te del pergjigja mos dyt njeri garant eshte viktim e ketyre dukurive.
Andaj, stop substancave narkotike nese doni ti thoni stop dhunes në ngjarje festive pa kontroll si kjo e DF!, ka shkruar Ilir Gashi në koment.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Prizrenit, i dyshuari M.B. nga Fshati Hoqë, në mbrëmjen e 7 gushtit e detyroni shtetasen angleze të kryej marrëdhënie seksuale, deri sa e njëjta ishte duke ecur rrugës për në “Kala”.

“Me datën 07.08.2018 rrethe orës 21:30 minuta, në Prizren i pandehuri duke shfrytëzuar momentin kur viktima  shtetase e Anglisë  duke ecur rrugës për në ”Kala” të njëjtën e detyron për të kryer aktin seksual”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Më poshtë lexojeni reagimin e Ismet Kryeziut në Facebook:

Si po ndiheni ju burrat e Prizrenit, që e dhunuat një vizitore që ka ardhur ta vizitojë qytetin tonë!?

Një numër jo i vogël, i burrave të Prizrenit pat reaguar ndaj protestës kundër ngacmimeve seksuale, të organizuar para disa ditësh, nga vajzat dhe gratë e FEMaktiv. U munduat ta arsyetoni dhunën dhe ngacmimet seksuale, duke I fajësuar gratë për veshjet e tyre, duke e quajtur përqindjen e ngacmimeve seksuale shpifje etj. Në vend se ta bënit të kundërten të kërkonit dhe të krijonit siguri në hapësirat publike, ju u bët mbështetës të dhunimeve dhe ngacmimeve seksuale!

Anglezja e dhunuar, sot është peshë në ndërgjegjen tonë, e dhunuesi është produkt i yni!/Periskopi/

 

 

 

 

Shpërndaje në: