Anëtare në Këshillin Prokurorial: Bashkëshortja e analistit Pozhari kalon në Komision
Emine Abdyli-Pozhari, bashkëshortja e analistit të afërt me VV-në, Xhevdet Pozhari, ka marrë miratimin e Komisionit për Legjislacion, për pozitën e anëtarës në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
Ditë më parë, është raportuar se Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, në mbledhjen e radhës, e cila u mbajt sot, do të shqyrtonte emrat për anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Mes emrave, ishte edhe ai i znj.Emine Abdyli-Pozhari, gruaja e analistit Xhevdet Pozhari, i njohur për qëndrimet publike pro partisë në pushtet – Vetëvendosje.
Periskopi ka parë dokumentin ku emri i znj.Abdyli-Pozhari, ka kaluar në Komision, nën dokumentacionin e verifikimit ‘Certifikatë mbi dënimet penale’ që nënkupton se znj. Abdyli-Pozhari, nuk ka asnjë dënim në gjykatë dhe kështu, i jepet ‘drita jeshile’ për të kaluar tutje si emër, për anëtare në Këshillin Prokurorial.
Komisioni për Legjislacion që sot ka mbajtur këtë mbledhje, e kishte të tretën me radhë si pikë të rendit të ditës, çështjen në fjalë:
“3. Shqyrtimi i propozimeve për anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e Fakulteteve Juridike”, njoftoi sot Kuvendi i Kosovës.
Emine Abdyli-Pozhari, është propozuar me rekomandim nga radhët e Fakulteteve Juridike publike.
Pas procedurës së kalimit të emrit në Komisionin, procedurë e radhës është dërgimi potencial në Kuvend për votim.
Procesi i emërimit të anëtarit të ri joprokuror në KPK vjen rreth një muaj pasi Kuvendi i Kosovës e shkarkoi nga pozita Agron Bekën, një profesor juridik që ushtronte këtë pozitë në Këshill.
Beka u shkarkua më 15 dhjetor të vitit të kaluar pas rekomandimit të Komisionit Parlamentar për inicimin e shkarkimit të anëtarit Agron Beka, të udhëhequr nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.
Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë në votim. Deputetët e shumicës votuan pro shkarkimit të Bekës.
Arsyetimi për shkarkimin e Bekës ishte se ai ka bërë shkelje etike dhe se qëndrimi i mëtutjeshëm i tij në KPK “është imazh i keq për Kuvendin e Kosovës”.
Shkarkimi i Bekës dhe rekomandimi për një pozitë anëtari në KPK i bashkëshortes së Xhevdet Pozharit, ish-këshilltarit të ministrit Arben Vitia, është ndryshimi i parë me mandat të plotë në përbërjen e Këshillit Prokurorial i cili ka 11 anëtarë.
Një synim i mëparshëm i pushtetit aktual të Lëvizjes Vetëvendosje për të ndryshuar përbërjen e Këshillit Prokurorial përmes Ligjit të ri për KPK-së ka dështuar.
Gjykata Kushtetuese e ka shpallur vitin e kaluar anti-kushtetues Ligjin për KPK-në, i cili parashihte ndryshime sidomos në përbërjen dhe përzgjedhjen e anëtarëve të këshillit./Periskopi