Andin Lokaj: Instalimi në kohë rekord i VAR, fajtori pse kjo pjesë e sezonit ishte kualitative
VAR në Superligën e Kosovës padyshim ka qenë një prej gjërave më të mira që i kanë ndodhur elitës së futbollit kosovar në vitet e fundit.
Instalimi në kohë rekord i tij, përkundër se pati shumë zëra skeptikë, qartazi ka përmirësuar kualitetin e lojës si dhe e ka bërë shumë më të besueshëm këtë kampionat, shkruan Periskopi.
Se Superliga është përmirësuar dukshëm që prej ardhjes së VAR, është i bindur edhe opinionisti i Periskopit, Andin Lokaj.
Lokaj, me anë të një statusi në Facebook, është shprehur (statusi pa nderhyrje):
Pjesa e parë e edicionit 2021-22 përfundoi në mënyrën më të mirë.
Ajo që ndikoi më së shumti ishte Instalimi në kohë rekord i sistemit VAR në Superligën dhe ishte storie suksesi për elitën e futbollit tonë.
Ky sistem modern e bëri kampionatin shumë më të besueshëm për skuadrat dhe dukshëm më atraktiv edhe për shikuesit përballë ekranit televiziv.
Pa dyshim që duhet duartrokitur edhe realizimin e ndeshjeve, që ka qenë më kualitativi deri më tani.