Ancelotti: Ishte më lehtë ndaj Liverpool sesa ndaj Man City, Chelsea e PSG
Carlo Ancelotti ka dhënë disa komente shtesë për finalen e Champions League.
Tekniku italian drejtoi skuadrën e tij drejt një triumfi të madh në Champions League, pasi mposhti Liverpoolin në finale.
Paraprakisht, madrilenët kishin eliminuar gjigantët si PSG, Chelsea e Manchester City. Sipas Ancelotti, të tri këto ekipe ishin më problematike sesa Liverpooli.
“Njerëzit thonë se PSG nuk kishin fat, Chelsea nuk kishin fat dhe Man City nuk kishte fat. Kjo (ndaj Liverpool) ishte e vetmja ndeshje ku njerëzit menduan se ishim pak a shumë të barabartë”, ka thënë Ancelotti.
“Mendoj se ndihmoi – që Liverpool të ishte më lehtë i deshifruar – sepse ata kanë një identitet më të qartë të lojës së tyre, dhe ne patëm mundësi të përgatitemi saktë për këtë. E dinim se çfarë strategjie kishin – mos lini hapësira për topa prapa mbrojtjes”, shtoi italiani.
“Ndoshta nuk bëmë futboll të bukur, por nuk është ide e mirë të fillosh ndeshjen nga prapa ndaj tyre. Patëm disa topa të gjatë, pastaj kontrollonim topin, sidomos në pjesën e dytë”, tha mes tjerash trajneri i Real Madrid.
Liverpool shihej si favorit ndaj Real Madrid në finalen e Champions League, por fusha e blertë pati një tjetër tregim për tifozët e futbollit.