Ancelotti: Do ta doja një përballje ne Milanin në finale të Ligës së Kampionëve
Carlo Ancelotti ndihet mjaft i lumtur që Real Madridi u kualifikua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Nesër do të hidhet shorti i kësaj faze, ndërsa “Los Blancos” do ta mësojnë emrin e kundërshtarit të radhës, shkruan “Gazeta Express”.
I pyetur nëse do të donte të përballet me ish-klubin e tij, Milan, me të cilin e fitoi dy herë trofeun e Championsit, trajneri italian u përgjigj:
“Një përballje me Milanin në çerekfinale? Nuk e di, ta them të vërtetën. Ideale do të ishte të ballafaqoheshim në finalen e Stambollit, por rruga është e gjatë”, deklaroi “DonCarlo” pas fitores ndaj “Reds”.
Si një ish-Rossoner, si do ta shihte një duel eventual me rivalin historik të Milanit, Inter?
“E shoh si një njeri i Realit: jemi në çerekfinale dhe jemi të pozicionuar mirë për të shkuar përpara”, shtoi ai.
Ndërkohë, punë të mirë po bën edhe Napoli, i cili e siguroi kualifikimin në çerekfinale për herë të parë në histori të tij.
Andaj, Ancelottin mund ta presë edhe një përballje eventuale me ekipin italian, të cilin po ashtu e kishte drejtuar.
“Napoli po shkon mjaft mirë, në kampionat është pozicionuar mirë dhe mund të koncentrohet në Ligën e Kamionëve. Krejt skuadrat janë të rrezikshme, duhet të luftohet për të ecur tutje”, përfundoi Ancelotti.