Analizë e Periskopit: PSD-ja në mëshirë të fatit

Periskopi Editoriale

Të dorëhequrit nga Lëvizja Vetëvendosje u futën në Partinë Socialdemokrate dhe e morën drejtimin e kësaj partie. Shpend Ahmeti u zgjodh kryetar, ndërsa Visar Ymeri u zgjodh nënkryetar dhe Aida Dërguti u zgjodh sekretare e përgjithshme.

Kjo parti tashmë i ka 12 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe qeveris me 2 komuna të Kosovës, përfshirë kryeqytetin. Poashtu, PSD-ja, sipas fjalëve të Dardan Molliqajt, ia ka marrë Lëvizjes Vetëvendosje 40 për qind të strukturave të saj, që përkthehet në një masë të madhe aktivistësh.

Por, si do t’i angazhojë PSD-ja këta aktivistë dhe si do t’i mbajë gjallë strukturat e saj? Kritika kundër Qeverisë Haradinaj dhe në përgjithësi, mendësisë qeverisëse të mishëruar te PDK-ja, është e monopolizuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe do të jetë tepër e zorshme që një gjë e tillë të ndërrojë. PSD-ja, në opozitarizmin e saj nuk mund të merret më seriozisht se LDK-ja. Poashtu, edhe ligjërimi nacionalist është monopolizuar nga partia e udhëhequr nga Kurti. Në paraqitjen e fundit publike, Dardan Molliqaj tha se PSD-ja mësyn ta identifikojë veten me politikat ekonomike e sociale – por, mobilizimi i masave në protesta dhe orientimi i opinionit publik për këto çështje është treguar i pafrytshëm.

Se anëtarët e PSD-së nuk e kanë taktizuar dhe nuk e kanë menduar mirë daljen e saj nga Lëvizja Vetëvendosje vërehet në përkeqjen e vazhdueshme të imazhit të secilit prej tyre. Secili është sulmuar rëndë dhe ka humbur ndjeshëm popullaritetin. Që në nisje, PSD-ja është në një disavantazh të madh megjithëse ka në përbërje disa prej njerëzve që deri vonë shiheshin si njerëz me potencial të madh në skenën tonë politike.

PSD-ja nuk do të votohet vetëm shkaku i njerëzve që i ka në përbërje. Ajo duhet të bëj një ndarje më të thekshme konceptuale me Lëvizjen Vetëvendosje, të dëshmojë njëmend pikat ndarëse me të dhe ta bëj përmbajtësore alternativën e saj. Është një nisje e mirë identifikimi me politikat sociale dhe ekonomike, prioritetizimi i tyre, por për ta plasuar këtë identitet në shoqërinë tonë, ajo duhet të jetë shumë agresive dhe kreative.

Puna në terren të cilën po e premton Molliqaj, nuk do të mjaftojë asnjëherë që kjo parti të dalë nga rreziku i moskalimit të pragut zgjedhor. Përforcimi i strukturave në terren do të bëhej vetëm përmes përgatitjes së një skeme punësimesh me klientelizëm, gjë që do ta shformësonte ideologjikisht edhe këtë parti, njësoj siç ka ndodhur me PDK-në, LDK-në, AAK-në, AKR-në dhe Nismën. PSD-ja duhet të përqendrohet në ligjërimin e saj – në strategji të mirëmenduara ligjërimore, në mënyrën se si do të shpaloste kritikën dhe platformën e saj.

Vetëvendosje e kishte kuptuar se nuk mund të garonte me këto parti në zona rurale, dhe nëpër qyteza, prandaj u mundua t’i lidhte aktivistët e saj me ‘vargojtë e ideve’ duke e bërë bashkë çdo radikalitet ndaj sistemit ekonomiko-politik dhe klasës politike: marksist-leninizmin e nacionalizmin dhe më së fundi edhe social-demokracinë. Dhe vetëm një frymë e tillë e përzier ideologjike ia doli mbanë të ndillte seriozitet në sytë e opinionit publik. PSD-ja duket se ka një anëtarësi më të moderuar, që njëmend e beson socialdemokracinë, dhe e cila do ta ketë të zorshme të ndjellë revoltë duke i munguar radikaliteti në kritikë.

60 për qind e të rinjve në Kosovë janë të papunë. Prej tyre, 80 për qind janë gra. Papunësia e përgjithshme është mbi 30 për qind. Por, edhe punëtorët nuk kanë perspektivë të qartë në mungesë të kontratave të punës, sigurimeve shëndetësore, punës shtesë të papaguar etj. Këto shifra janë lënë të pashfrytëzuara nga partitë opozitare, në veçanti nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka margjinalizuar programin e saj ekonomik. Por, kjo është bërë si rrjedhojë e një ekonomie të mirëmenduar pushteti nga ana e partisë së Kurtit. Nuk mund të ndillej nevoja për protestë pa thjeshtimin e diskursit. PSD, anëtarët e së cilës e kanë humbur seriozitetin, dhe të cilëve iu mungon ashpërsia e nevojshme në nivelin reprezentativ – nuk duket se do të kenë ndonjë gjasë të ndërrojnë mendësinë protestuese të shoqërisë.

Nëse Partia Socialdemokrate arrin që ta kalojë pragun zgjedhor, ky do të ishte një sukses i madh për të si parti politike. Mbase, edhe e ardhmja e saj do të ishte e ndritur nëse brenda një afati të shkurtër kohor Kosova arrin të tejkalojë problemet e saj politike në rrafshin ndërkombëtar, të përforcojë sovranitetin e saj dhe të zhvendos gjithë debatin publik në politikat ekonomike. Por, një e ardhme e tillë pa probleme për shtetësinë tonë duket e largët – dhe gjasat e PSD-së për t’u bërë një parti e fortë duken mjaft të zbehta.

Shoqëria jonë ka karakter shumë të fortë fisnor e familjar, nga i cili kanë përfituar më së shumti PDK-ja, AAK-ja, LDK-ja dhe Nisma. Edhe në këtë drejtim, duke qenë një parti e përqendruar në kryeqytet, gjasat e PSD-së duken mjaft të vogla. Pra, një pjesë e madhe e votuesve të papërcaktuar të qendrës janë të mbyllura nga monopolizimi që i ka bërë Vetëvendosje kritikës ekonomike dhe nacionaliste ndaj pushtetit. Ndërkohë që, pjesa tjetër, e shtrirë më në skaje të vendit, është e mbyllur nga katër partitë që i përmendëm më lart. Kemi të bëjmë me një hartë politike në të cilën shumë pak hapësirë i është lënë një partie të re.

PSD-ja mund të shpresojë në këtë drejtim në dy gjëra: në lajthitjen e madhe të Lëvizjes Vetëvendosje, në ndonjë akt të beftë nga i cili do të deligjitimohej ose, në rrjedhje të mëdha votash nga partitë që operojnë përmes klientelizmit. Megjithëse Kosova prodhon befasi të shumta në politikë, duke qenë se përjetohet më shumë si dramë se si realitet që mund të ndryshojë, një gjë e tillë është e vështirë të ndodhë.

Shpërndaje në: