Analizë e Periskopit: PDK-ja lëngon për opozitë

Periskopi Editoriale

Stafi redaktorial i Periskopit do të përgatis një cikël shkrimesh mbi partitë kryesore që përbëjnë teatrin politik në Kosovë. Shkrimi i parë është për PDK-në, si partia e dytë më e madhe, por megjithatë me rolin më të rëndësishëm në zhvillimet aktuale në vend.

PDK-ja duket më e dobët se kurrë. Belbëzuese nëpër debate dhe e ngathët në terren. Drejtimi i kësaj partie u mor nga Kadri Veseli, por fajësinë më të madhe për dobësinë e tanishme të saj e mban Hashim Thaçi. Ai nuk arriti të kultivonte partneritet me partitë e tjera parlamentare në vend – duke menduar se ‘dinakëria’ publike e tij, tradhtitë që iu bënte partnerëve, do të ndillnin simpati te qytetarët e vendit që të mahnitur do të thërrisnin “Thaçi-Thaçi”. Jo, qytetarët e refuzuan ‘dinakërinë’ e tij. Ndoshta, Thaçi nuk e kishte kuptuar se ‘dinakëria publike’ nuk është dinakëri por idiotësi. Sepse ishte publike. Dhe kështu, Veseli e trashëgon një parti jobesnike ndaj partive tjera politike dhe sidomos ndaj qytetarëve të vendit. Thaçi ishte krejt i çinteresuar që të ndërmerrte reforma strukturore në parti dhe të paqtonte imazhin nga skandalet dhe keq-qeverisja. Mbase, në ekzaltimin e ‘dinakërive’ të tij, ai kishte menduar se qytetarët do të brohorisnin për të edhe kur ta ndjenin veten të fyer, vjedhur apo mashtruar. Nuk e bënë.

Kjo parti do ta ketë të zorshme që të mbetet faktor kyç në skenën politike sepse pushteti i saj ushqehet nga një rrjet klientelizmi në shthurje e sipër. Klientelizmi në vetvete krijon relacione interesi mes subjekteve, thënë thjesht: i bën njerëzit interesxhinj, dhe natyrshëm, anëtarët e klientelës së PDK-së nuk mund t’i qëndrojnë besnikë pafundësisht kësaj partie. Sidomos kur, bazamenti i veprimtarisë së saj, krenarisht nënkuptohet me zgërdhirje nga zyrtarët e lartë të partisë se është ‘dinakëria’.

Në opinionin publik PDK-ja është shpaketuar si ofertë nga “Afera Pronto”. “Kështu qeverisim ne” mund të bëhej epigraf i gjithë asaj që mësuam nga telefonatat e Adem Grabovcit. Kësisoj, partia e drejtuar aktualisht prej Veselit, një njeriu që kushedi çka bënte në ‘nëntokë’, as që mund të pretendojë që të pastrojë imazhin e saj nëse i shpërfillë reformat radikale e të dukshme për sytë e opinionit.

Embrioni i kësaj partie ndodhet te Lëvizja Popullore e Kosovës – një organizatë marksist-leniniste që e himnizonte figurën e Enver Hoxhës. Babai i dashur e më vonë i mohuar i një partie të profilizuar si e djathtë e moderuar është pra, diktatori komunist shqiptar. Kjo kontradiktë qëndron në thelb të PDK-së dhe e dikton rrjedhën dhe mendësinë e saj qeverisëse. E cila e krijoi dinakërinë e saj – si instrumentin kryesor politik.

Kjo parti duhet ta bëj të qartë, pikësëpari për veten e saj, atë që e beson dhe atë që nuk e beson. Politikat që do t’i prioritetizojë dhe ato që do t’i margjinalizojë. Natyrisht, kjo e pamundëson veprimin përmes dinakërisë, por ç’duhet më të jesh dinak kur askush nuk të beson?! Çarjet në strukturën e saj do të jenë një pasojë e pashmangshme nëse një gjë e tillë nuk ndodh.

As gjendja në terren e kësaj partie nuk është e mirë. Përçarjet në bastionin e saj në Skënderaj janë evidente, ndërkohë që NISMA [Socialdemokrate] vazhdon gati në çdo komunë të përforcohet me ish-anëtarë të PDK-së. Veseli e mori një goditje të rëndë në zgjedhje lokale edhe në komunën e tij, në Mitrovicë, ku PDK-ja humbi ndaj Agim Bahtirit të AKR-së. Edhe në Gjilan fuqia e saj politike është zbehur drastikisht.

PDK-ja nuk ia doli mbanë që të mbronte vlerat e luftës, e as interesat e shtresës së varfër rurale nga e cila rridhte. Përkundrazi, ajo kontribuoi në eksploatimin e pakursyer të të dyjave. Kadri Veseli duhet të dalë para pasqyres dhe intimisht të pyes veten: “veço të afërmit tanë dhe bizneset e tyre, interesat e kujt i mbron PDK-ja?” Një pyetje që mund të përkthehet në thjeshtimin: veço interesat e ngushta të njerëzve tanë, pse duhet të ekzistojë kjo parti si parti?

Për të mirën e saj dhe të qytetarëve të vendit, kjo parti duhet të koncentrohet më shumë në reformimin e plotë të metodologjisë së pushtetit; të bëj një zhvendosje nga klientelizmi drejt politikave që joshin qytetarët. Por, një gjë e tillë nuk mund të bëhet nga Kadri Veseli, i cili duket se nuk është aq i shkathtë në oratori – e cila do të ishte një armë e fortë për nivelin reprezentativ.

Është e qartë se PDK-ja do të jetë pjesë e skenës politike – duke qenë se gëzon një mbështetje të caktuar në zona të ndryshme shkaku i asaj që pa të drejtë mendohet se e trashëgon. Prandaj, kjo parti në zgjedhjet e ardhshme do të duhej të përpiqej që të tregonte seriozitet të theksuar në reformimin e saj të brendshëm.

Zgjedhjet e brendshme që pritet të mbahen sivjet pritet të jenë veçse një formalitet, dhe kjo gjë do ta dëmtojë edhe më shumë PDK-në. Megjithatë, do të jetë e rëndësishme nëse do të ndryshojnë emrat e nënkryetarëve dhe të anëtarëve tjerë të cilët do ta prezantonin publikisht partinë. Një gjë e tillë, nuk është thjesht e nevojshme por edhe e domosdoshme.

Se PDK-ja nuk është e gjithë-fuqishme në Kosovë tregon edhe ‘ndodhia Pronto’. Vetë fakti që liderët e saj janë ‘të përgjueshëm’ tregon se ‘kapja e shtetit’ nuk ka qenë e efektshme as për vetë partinë, megjithëse ka qenë shumë e dëmshme për vendin. PDK-ja duhet ta shfaqë haptas, qartë, para të gjithëve, se është e interesuar për një shtet të së drejtës. A është e aftë për një gjë të tillë? Ndoshta, pushteti duhet t’i lëkundet më seriozisht që një gjë e tillë të ndodhë.

Partia Demokratike e Kosovës është një parti që ka bartur peshën kryesore të përgjegjësisë për arritjet e pakta dhe ngecjet e shumta në shoqërinë tonë në 20 vitet e fundit. Ajo duhet të thellojë sensin vetëkritik dhe të flas hapur për gabimet që ka bërë përgjatë dy dekadave. Mungesa e vetëkritikës në këtë pikë të historisë, do të çojë pakthyeshëm në vetë-dëmtim të rëndë.

Shënim: Nesër pason analiza e Periskopit për Lidhjen Demokratike të Kosovës

Shpërndaje në: