Analizë e Periskopit: Çka i duhet Vetëvendosjes për të marrë pushtetin?

Periskopi Editoriale

Emri “Vetëvendosje” e ka dominuar politikën kosovare në dy vitet e fundit. Ajo arriti të shprehte seriozitetin e saj në sulmet kundër pushtetit përmes një varg taktikash agresive. Organizoi protesta me koktej molotovi, gurë, dhe brohorima që nxirreshin nga një diskurs i tejthjeshtuar [siç thoshte vetë Albin Kurti]. Praktikisht ajo është themeltarja e opozitarizmit të njëmendtë politik në Kosovë – duke ofruar zgjedhje/alternativë, për ta kuptimsuar kësisoj procesin zgjedhor si të tillë. Të zgjedhje mes PDK-së, LDK-së e AAK-së nënkuptonte të zgjedhje njerëzit që do të shijonin privilegjet – por pa ofruar asgjë të ndryshme.

Në kuadër të taktikës tejthjeshtuese të saj, në vend të fjalës “Asociacion” u përdor fjala “Zajednicë”, në vend të fjalës “Korrupsion” u përdor fjala “Hajni” dhe po të kishte ndonjë sinonim të keq për “Demarkacionin” do ta përdornin poashtu. Në kuvend Vetëvendosja e përdori gazin lotsjellës duke e paralizuar jetën institucionale – për çështjen e cila u ngrit nga Ramush Haradinaj sa për t’u bërë kryeministër, dhe që ashtu-kështu u ratifikua. Në përditshmëri, aktivistët e kësaj partie e kishin mbipopulluar Facebook-un dhe e kishin pushtuar në tërësi – përmes sulmeve të ashpra dhe linçimeve ndaj kritikëve të saj. Mund ta shaje sa të doje Hashim Thaçin, por nëse e shaje [ose qoftë kritikoje] Albin Kurtin ose ndonjë tjetër me rëndësi në Vetëvendosje, e pësoje keq.

Në vitin 2017 patëm zhvillime pozitive brenda saj. Së pari, diskursi në prag të zgjedhjeve disi u zbut – dhe fjala e saj u zhvendos nga programi nacionalist në atë ekonomik. Albin Kurti nuk u bë kryeministër, ani që doli lideri më i votuar, por Vetëvendosja u bë partia më e madhe në vend.

Se Vetëvendosja e mendon veten si një lëvizje parasëgjithash elitare, mund ta shihnim jo vetëm në diskursin e tejthjeshtuar për masën që ‘nuk merrte vesh ndryshe’, por edhe në fushatën e zgjedhjeve lokale ku lideri i saj thurrte poezi.

Nëse flasim me termet e Frojdit, Lëvizja Vetëvendosje ishte bërë Superego-ja e kësaj shoqërie, Idi i së cilës ishte PDK-ja. Por, kjo Superego, kjo kullë në dukje e palëkundshme, u përgjysma [jo si sasi por si përfaqësim] si të ishte prej letre kur fjala ‘mut’ doli në dritë. Kjo fjalë nuk i drejtohej pushtetit, por liderit Albin Kurti. Partia që po e disiplinonte shoqërinë përmes një varg taktikash psikologjike e qiti në shesh shthurrjen e saj diskursive, privatësinë e saj të panevojshme, dhe luftën e brendshme për pushtet.

Tanimë, duhet pranuar se Lëvizja Vetëvendosje i ka humbur disa prej njerëzve më të votuar të saj – dhe e ka humbur edhe imazhin e saj të papërlyeshëm. U evidentua qartë se partia e cila e kritikonte pushtetin se merrej shumë me ‘imazhin e Kosovës’ në praktikë ishte e stërpreokupuar me imazhin e saj si parti.

Programi i saj ekonomik është margjinalizuar për një kohë shumë të gjatë nga programi nacionalist. Dhe një gjë e tillë me gjasë pritet të vazhdojë. Vetëvendosja evidentueshëm e sheh veten në një pozitë sipërore ndaj shoqërisë që e mendon si pësore – por është e qartë se edhe ajo është bërë pësore nga vlerat dhe pritjet e shoqërisë. Ajo e ushqeu nevojën e shoqërisë për gjëra të thjeshta, për aksione të drejtpërdrejta politike, për dhunë madje, por duket se ka qenë e prekshme/lëndueshme edhe nga patriarkaliteti dhe misogjinizmi, e ç’është më e keqja edhe nga paragjykimet klasore e provinciale.

Shpend Ahmeti si kryetar i PSD-së i tha anëtarësisë së tij se “nuk ishte e nevojshme të dukeshin të varfër më.” Sado problematik të jetë në vetvete ky deklarim, ai në fakt zbulon që një gjë e tillë kërkohej në partinë që drejtohet nga Albin Kurti. Pse mund të besohet që Vetëvendosje bëri një manipulim të tillë edhe në ‘dukje’, në aspektin estetik, për të joshur masën? Sepse ‘kishte nevojë të fliste si masa, si të varfërit’ për të provokuar mllef dhe reagim – siç e ka bërë deri më tash.

Se Lëvizja Vetëvendosje është e çinteresuar që në praktikë të mbrojë interesat e shtresës së varfër tregon edhe përqendrimi i saj në kryeqytet. Degët/pikat e saj në komunat e tjera të vendit janë shumë të dobëta, dhe duket qartë se lidhje më të forta [ani pse korruptive] me shtresën e varfër mbajnë PDK-ja e LDK-ja sesa kjo parti që e mendon veten si të majtë.

Sidoqoftë, duhet pranuar se Lëvizja Vetëvendosje është shpresa më e madhe e njerëzve që kërkojnë ndryshim në vend. Por, kjo shpresë tashmë është rrudhur shkaku i mosarritjes së absorbimit të rezultatit zgjedhor të qershorit të kaluar. Vetëvendosje dukej se nuk ishte e gatshme të merrte përgjegjësitë për të qeverisur vendin – dhe nuk ia doli mbanë të linte menjanë ‘përsosurinë’ e vet dhe të krijonte koalicion qeverisës me LDK-në. Edhe sot, ajo nuk po arrin ta mendojë veten përtej ‘përsosurisë’ dhe t’i pranojë gabimet e saj.

Vetë platforma për kryetar e z.Kurti dëshmon se Vetëvendosja nuk e ka në plan të qeverisë me vendin në tri-katër vitet e ardhshme. Projekti i Kurtit është që të transformojë së brendshmi shoqërinë – përmes një skeme ku aktivistët e saj ‘rrinë më shumë me qytetarët se me njëri tjetrin’ dhe që merren me organizimin e eventeve kulturore e sportive nëpër lokalitete të ndryshme të vendit. Kjo skemë joinstitucionale pushteti ngjashëm është organizuar nga PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja – por e cila vetëm sa i ka përforcuar metodat e tyre korruptive. Kosova nuk është një vend me njëzet milionë banorë, dhe forcimi i lidhjeve me shtresat e varfëra nuk duhet të dredhojë në forma tjera korrupsioni që thjesht do të dukeshin më mirë.

Këtu mund të lind një tjetër dyshim: mos do të zhvendoset e njëjta mendësi agresive e linçuese nga Facebook-u në realitet?! Ka mundësi.

Lëvizja Vetëvendosje duhet të mos e mendojë veten nga një pikëshikim superior dhe definitivisht të heqë dorë nga ‘puritanizmi’. Ajo nuk duhet të ketë frikë nga përgjegjësitë që ofron pushteti, ose nga përlyerja e mundshme – dhe të angazhohet me pragmatizëm për një rend më të mirë social e politik.

Vetëvendosje duhet të rrëmojë në gjithë diskursin e saj nacionalist, përfshirë Rambouillet-në, dhe Pakon e Ahtisaarit, pastaj Pavarësinë e Kosovës dhe qëndrimin e ngurtë kundër negociatave. Ajo madje duhet ta rimendojë ‘referendumin’ për bashkim me Shqipërinë, të cilën e ka vënë në kurriz të programit të saj ekonomik. Nëse qytetarët e Kosovës kanë ndonjë problem madhor aktualisht është paperspektiva ekonomike, mungesa e kualifikimit adekuat shkaku i cilësisë në arsim, papunësisë alarmante dhe korrupsionit endemik. Një platformë opozitare që do të zgjidhte këto probleme do t’i joshte sërish qytetarët e vendit për ta votuar dhe për ta vënë në pozicion për të marrë pushtetin. Por, ‘vijat e kuqe’ për partitë që në vazhdimësi zgjedhen nga pjesë të mëdha të kësaj shoqërie – në rend të parë e amnistojnë sistemin ekonomiko-politik të vendit [madje, e glorifikojnë atë duke presupozuar që korrupsioni gjenerohet nga një klasë e caktuar pushteti], dhe promovon provincializëm e konflikt qytetar.

Shpërndaje në: