Analizë e Periskopit: AKR-ja, një biznes tjetër i Behgjet Pacollit

Periskopi Editoriale

AKR-ja, ose Aleanca Kosova e Re, e ka humbur fuqinë e saj elektorale. Tashmë, partia e udhëhequr nga Behxhet Pacolli, nuk arrin as të kalojë pragun zgjedhor dhe të futet si e vetme në Kuvend. Nga 13 për qind, sa i kishte në fillim, tani ka rënë në vetëm 4. Sidoqoftë, ka një sidoqoftë këtu.

Rrethanat aktuale politike i japin një rëndësi mjaft të madhe edhe kësaj partie, e evidentuar në zgjedhjet e fundit nacionale. Shkaku i frikës që e kishte nga bashkimi i AKR-së me LDK-në, PDK-ja u ngut të ndante hisen e saj të pushtetit, edhe në fazën parazgjedhore, me AAK-në dhe Nismën. E humbi që në start pozitën e kryeministrit – që aspirohej nga Kadri Veseli.

Mund të thuhet se AKR-ja e bëri kryeministër Ramush Haradinajt, ani që paraprakisht ishte munduar ta bënte kryeministër Avdullah Hotin.

Edhe partia e Pacollit, si gati çdo parti tjetër që thirrej në ndryshim, e shpërdoroi ndryshimin. Shihni vetë emrin: ajo e identifikon veten si një Aleancë [mes kujt dhe kujt, nuk dihet] për Kosovën e Re [dmth për një Kosovë ndryshe].

Por, ajo dështoi t’i identifikonte ndryshimet që do t’i bënte. Solli në parti një laramani njerëzish, dhe praktikisht u konformua në metodën klienteliste të shtrirjes së pushtetit. Fillimi i suksesshëm i saj e dëftoi nevojën e madhe për një parti të re e të ndryshme politike. Por aktualisht, me dështimin për t’u paraqitur ‘e ndryshme’ ajo nuk ofron asgjë – dhe po orvatet që thjesht të riorganizojë degët e saj përmes klientelizmit duke marrë pjesë në qeverinë e stërmadhe Haradinaj.

Partitë të cilat nuk përfaqësojnë asgjë, ose që janë deligjitimuar në sytë e qytetarëve, përbëjnë rrezik shumë të madh për demokracinë. E gjithë përpjekja e AKR-së aktualisht nuk do të jetë në bindjen e qytetarëve se po qeveris mirë – por në ofrimin e favoreve të pushtetit për sa më shumë njerëz.

AKR-ja pësoi një përçarje së fundi kur portali i z.Rrahim Pacolli, shkroi për punësime të jashtëligjshme në kabinetin e ministres Albena Reshitaj, që vjen nga partia e tij. Ndërkohë, ministrja e kishte demantuar raportimin e portalit në fjalë, duke akuzuar madje se raporti përbënte tendencë të individëve dhe grupeve keqdashëse për përfitime personale.

Është e natyrshme që në një parti të delegjitimuar të ketë vetëm përplasje të karakterit të tillë.

AKR-ja është parti me karakter të qartë personal e familjar. Mund të shihet si thjesht një prej bizneseve të z.Behgjet Pacolli. Prandaj, është e vështirë që një parti e tillë politike të shihet njëmend si parti politike. Dhe është e kotë të flitet më shumë e më thellësisht për të.

Shpërndaje në: