Analistët: Procesi i deritanishëm i dialogut nga BE është i dështuar

Analistët: Procesi i deritanishëm i dialogut nga BE është i dështuar

Të njëanshëm dhe joefektiv po e konsiderojnë njohës të rrethanave politike procesin e deritanishëm të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkim Evropian. Sipas opinioneve të tyre, Bashkimi Evropian duhet të ndërrojë mënyrën e dialogimit, derisa theksojnë se epilogu i këtij procesi maratonik të dialogut, duhet të jetë njohja reciproke.

I filluar në vitin 2011, procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar edhe nga Bashkimi Evropian, po vlerësohet i dështuar nga njohës të rrethanave politike. Duke i parë dështimet në arritje dhe implementimin e marrëveshje eventuale të arritura deri më tani, njohës të rrethanave politike theksojnë se edhe Bashkimi Evropian duhet të gjejë mënyra të tjera për të arritur në një epilog më të shpejtë. Analisti Agim Nesho, konsideron se dialogu deri më tani është zhvilluar në frymë jo të barabartë të palëve. Ai pretendon që Bashkimi Evropian, në shumë raste ka bërë lëshime në favor Serbisë.

“Nuk është një dialog efiçient e as dialog realist. Në të gjitha pikëpamjet ky është një dialog i njëanshëm ndërmjet Bashkimit Evropian, pra, forcave kryesore të tij siç janë Gjermania e Franca, në raport me Serbinë, për të bërë të mundur dha për ta ofruar Serbinë më Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Nesho.

Për analistin tjetër Fidan Ukaj, epilogu i dialogut duhet të jetë njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndonëse thekson se Serbia është ajo e cila nuk po i zbaton marrëveshjeve e arritura deri më tani në dialog.

“Normalizimi i raporteve, njohja e dokumenteve të ndërsjella, pastaj njohja e dokumenteve personale të qytetarëve nënkupton njohjen e një realiteti të ri, e që realitet i ri për Serbinë është Kosova. Deshën apo nuk deshën në një momentum, pas përfundimit të këtij dialogu, pashmangshëm që edhe njohja e ndërsjellë do të vije”, ka theksuar Ukaj per rtk.

Ndërkohë, në takimin e fundit të nivelit të lartë, kryeministri Albin Kurti nuk pranoi të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, pa dorëzimin e kriminelit Milan Radojeçiq te institucionet e drejtësisë së Kosovës, si dhe dy kushteve të tjera. Në anën tjetër, zyrtarë ndërkombëtarë kanë shtuar presionin për arritjen e shpejtë të marrëveshjes përfundimtare.

Shpërndaje në: