Amerika në pikën e pakthimit

Amerika në pikën e pakthimit

Në qershorin e vitit 2019, Presidenti Donald Trump po shijonte një kohë të rrallë pa skandale. Me sukses kishte pllaquritur investigimin e Prokurorit Special Mueller. Muelleri duhej të pajtohej që t’i bindej udhëzimeve të Departamentit të Drejtësisë që thoshte se presidenti nuk mund të akuzohej për shkeljen e çfarëdo ligji kriminal. Meqë edhe Muelleri e kishte kufizuar ekzaminimin e tij të “marrëveshjes së fshehtë” te shkeljet potenciale të një ligji kriminal, investigimi i Muellerit shkoi drejt një qorrsokaku të kotësisë së paracaktuar.

Trumpi e festoi këtë gjë duke e ofruar një intervistë të rrallë për një transmetues që s’ishte Fox News, te George Stephanopoulosi i ABC News. Stephanopoulos e pyeti, se çka nëse një qeveri e huaj do t’i ofronte diçka të ndyrë për kundërshtarin e tij në garën presidenciale të 2020-s? A do ta pranonte?

“Mendoj se duhet të dëgjoni, nuk ka asgjë të keqe nëse dëgjoni. Nëse dikush thërret nga një vend, për shembull Norvegjia, dhe më thotë “Kemi informacione [të ndyra] për kundërshtarin tënd” – Oh, mendoj se do të doja ta dëgjoja.”

Dhe:

“Nuk është interferencë, ata kanë informacione [të ndyra për kundërshtarin] – mendoj që do t’i merrja. Nëse do të mendoja se kishte diçka gabim, do t’ia përcillja ndoshta FBI-t – nëse do të besoja që kishte diçka gabim. Por nëse dikush vjen me hulumtim për kundërshtarin, atëherë pse ta thirrim FBI-n kur ata s’kanë agjentë boll për t’u marrë me të. Kur shkoni dhe flisni, ndershëm, te një kongresmen, ata krejt veprojnë kështu, gjithnjë kështu kanë vepruar, kështu është puna.”

Mos thoni që nuk ishim paralajmëruar. Trumpi ia hodhi herën e parë. Leksioni që mori ishte që ta provonte sërish.

Në ditët e para të presidencës së Trumpit, fasilituesit e tij sugjeronin se ai do të përmirësohej kur ta merrte detyrën ashtu siç mësoi të mos bënte korrupsion.

Në qershorin e 2017-s, doli lajmi se Trumpi i kishte kërkuar drejtorit të FBI-s, James Comeyt, që të ishte i butë me Michael Flynnin, këshilltarin e parë të tij të sigurisë kombëtare. “Presidenti është i ri në këtë punë,” kishte thënë Spikeri i Dhomës së Përfaqësuesve asokohe Paul Ryan. “Ai është i ri në qeverisje. Kështu që, ndoshta s’e ka kuptuar mirë çështjen e protokollëve që vendos marrëdhëniet mes Departamentit të Drejtësisë, FBI-t dhe Shtëpisë së Bardhë.”

T’i japim kohë, u duk se po sugjeronte Ryani, dhe Trumpi do të ndalonte së vepruari si kriminel në Zyren Ovale.

Trumpi na e nxori një konkluzion krejt të ri nga ai Ryanit: Askush nuk do të më ndalojë.

Gjëja që të mahnit rreth abuzimit të fundit të Trumpit është ajo se sa shumë njerëz e dinin për atë që kishte bërë vaki. Zëvendëspresidenti Mike Pence personalisht kishte folur me presidentin e Ukrainës për rëndësinë e “korrupsionit”.

Shefi në detyrë i Kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, Mick Mulvaney e kaloi urdhërin për bllokimin e fondeve të votuara nga kongresi për Ukrainën.

Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ekstraktoi deklaratat nga zyrtarët ukrainas, në atë që dukej si përpjekje për të mbuluar Trumpin nga skandali.

Dhe krejt kjo ndodhi ashiqare, haptas. Secili mund ta shihte se si paratë po tërhiqeshin disa muaj pasi Kongersi kishte votuar për dhënien e tyre. Të gjithë e dinin se emisari personal i Trumpit, Rudy Giuliani, kishte udhëtuar në Ukrainë për të kërkuar ndyrësira për ish zëvendëspresidentin Joe Biden. Guliani doli në televizion që të fliste për këtë gjë!

Ky nuk është mister, ky nuk ishte kurrë një mister. Kishte veç pandëshkueshmëri, ashtu siç vazhdon të ketë pandëshkueshmëri.

Trumpi nuk ka qenë kurrë dinak. Ai kryen krimet e tij ashiqare, para publikut. Ryshfetet për Trumpin nuk janë dhënë nga njerëz të fshehtë në garazha të nëntokës. Ato mblidhen në Pennsylvania Avenue, në hotelin luksoz që mban emrin e Trumpit te dera. Trumpi nuk i përvetëson tinëzisht donacionet e Republikanëve. Kur Trumpi i bëri thirrje Rusisë që të hakonte kundërshtaren e tij [Hillaryn] dhe t’i dërgonte e-mailet e saj te ai, ai e bëri një gjë të tillë në televizion.

Trumpi përfiton nga prirja njerëzore për të menduar: “Nëse nuk ka turp, ndoshta nuk po bën asgjë keq.” Njerëzit normal kthehen mbrapsht nga njerëzit patologjikë, dhe Trumpi është presidenti më patologjik në historinë amerikane.

Por ne jemi në pikën e pakthimit. Rasti i Ukrainës konfirmon që Trumpi do të bëj gjithçka. Gjithçka. Gjithçka.

Ai shfrytëzon njerëzit përreth që janë tepër të llastuar, psikologjikisht të dobët, për t’i rezistuar. Deri tash, bixhozi i ka dalë mbarë. Është koha që ta mbrapshtojmë.

Marrë nga The Atlantic, përkthyeu dhe përshtati në shqip Periskopi

Shpërndaje në: