Amerika e qeverisur nga Trump: Më e keqja tek do të vijë

Amerika e qeverisur nga Trump: Më e keqja tek do të vijë

Sikur Amerika ta kishte një sistem parlamentar, në vend të sistemit presidencial, Donald Trump, i cili që nga dita e parë në postin e presidentit të ri reagoi i tërbuar për shkak të numrit të vogël të vizitorëve në inaugurimin të tij, do të përballej me një votëbesim ndaj qeverisë. Por ne nuk kemi sistem parlamentar, prandaj në njëfarë mënyre duhet t’i përballojmë katër vitet e ardhshme. Nuk mund as ta imagjinoj reagimin e Trumpit në rezultatet e dobëta në gjëra vërtet të rëndësishme.

Në fjalimin e tij morbid inaugurues, zoti Trump e përshkroi vendin në vështirësi të mëdha dhe e përmendi «sakrificën amerikane». Amerika në të vërtetë nuk është e tillë; ajo ka shumë probleme, por mund të ishte edhe shumë më keq. Në fakt, duket se kështu edhe do të jetë. Si do të përballet me këtë njeriu që nuk mund ta përjetojë as goditjen më të vogël të egos së tij?

Të shohim lajmet e pritshme të këqija.

Së pari, ekonomia. Duke e dëgjuar zotin Trump do të mendohej se Amerika është në një depresion të thellë, «me fabrika të ndryshkura të shpërndara si monumente varrimi në gjithë vendin». Punësimi në industri vërtet ka rënë që nga viti 2000, por punësimi i përgjithshëm është rritur, ndërkohë që shkalla e papunësisë është e ulët, madje edhe sipas standardeve historike. Shkalla e papunësisë nuk është shenja e vetme e mirë, për shkak se rritja e fitimeve dhe gatishmëria e punëtorëve amerikanë për ta lënë punën e tyre në kërkim të një pune më të mirë tregon se jemi afër një punësimi të masë të plotë.

E gjithë kjo tregon se më nuk do të ketë vend për rënie të papunësisë, ashtu që me një politikë të mirë ekonomike dhe me më shumë fat të krijimit të vendeve të reja të punës do të shkohet shumë më ngadalë se gjatë mandatit të Obamës. E duke pasur parasysh se po ndodhin gjëra të këqija, ka shans të madh që papunësia për katër vjetët e ardhshme të jetë më e lartë se tani. Dhe kështu defticiti buxhetor i Trumpit ka gjasa të rritet, sikur edhe deficiti i jashtëm tregtar, ashtu që punësimi në industri të bjerë në vend se të rritet.

Një fushë tjetër ku gjërat me siguri do të përkeqësohen janë sigurimet shëndetësore. Obamacare solli deri një rënie të theksuar të numrit të amerikanëve pa sigurim shëndetësor. Shfuqizimi i Obamacare do ta përmbysë këtë proces, sepse që në vitin e parë sigurimet do t’i humbnin 18 milionë njerëz, ndërsa sipas vlerësimeve të Zyrës së Buxhetit të Kongresit ai numër shumë shpejt do të arrinte në 30 milionë. Ndërsa republikanët, të cilët për shtatë vjet nuk propozuan ndonjë zëvendësim të arsyeshëm për Obamacare, nuk do ta bëjnë këtë as në javët e ardhshme. Në të vërtetë, këtë nuk do ta bëjnë kurrë.

Fusha e tretë është niveli i krimit, zhvillimin e të cilit është vështirë për ta parashikuar. Vizioni i Trumpit për Amerikën urbane të mbërthyer në «krim, banda dhe drogë» është një fantazi distopike: numri i vrasjeve është në rënie, pavarësisht raporteve mediatike sensacionale të rritjes së numrit të vrasjeve nëpër disa qytete. Mendoj se niveli i krimit mund të vazhdojë të bjerë, por mund edhe të rritet. Tani për tani vetëm një gjë është e sigurt, administrata e Trumpit nuk do t’i qetësojë zonat urbane të luftës, për shkak se ato nuk ekzistojnë.

Si do të ballafaqohet zoti Trump me lajmet për rritjen e papunësisë, humbjen e sigurimit shëndetësor të miliona amerikanëve dhe për uljen e vogël ose fare të shkallës së krimit? Duke e mohuar realitetin, si gjithmonë kur është i kërcënuar narcizmi i tij. Por, a do ta ndjekin në këtë mbështetësit e tij? Ndoshta. Tashmë i kanë injoruar të gjitha lajmet e mira nga koha e Obamës. Dy të tretat e votuesve të Trumpit besojnë gabimisht se gjatë kohës së Obamës u rrit papunësia. Tri të katërtat e tyre besojnë se George Soros i financon protestat kundër Trumpit. Vetëm 17 për qind e republikanëve janë të vetëdijshëm se numri i njerëzve pa sigurim shëndetësor është në minimunin e vet historik. Shumica besojnë se krimi është në rritje, edhe pse është në rënie. Kështu që ndoshta do t’i injorojnë lajmet e këqija gjatë mandatit të Trumpit.

Por, kjo nuk do të shkojë edhe aq lehtë. Njerëzit janë të prirë që përmirësimin e gjendjes personale t’ia atribuojnë përpjekjeve të tyre, ashtu që shumë nga ata të cilët kanë gjetur punë në 8 vjetët e fundit besojnë se atë e arritën pavarësisht politikës ekonomike të Obamës, d.m.th. jo për meritë të tij. A do ta fajësojnë ashtu veten e tyre, e jo Donald Trumpin, kur ata ta humbin punën e tyre dhe sigurimin shëndetësor? Vështirë. Zoti Trump gjatë fushatës dha premtime të mëdha, ashtu që mundësia e zhgënjimit është shumë e madhe

A do të reagojë Trump në lajmet e këqija duke e pranuar përgjegjësinë dhe duke u përpjekur për t’i rregulluar gjërat? A do të heqë dorë nga pasuria e tij dhe të shkojë në manastir? Kjo gjithashtu është pak e mundur. Jo, egomaniaku komandues dhe i pasigurt pothuajse me siguri do t’i mohojë të vërtetat jo të këndshme dhe do t’i dënojë mediet, meqë raportojnë për ato. Dhe kjo vërtet më brengos, sepse me siguri do të përpiqet ta shfrytëzojë fuqinë e tij dhe do të godasë lirinë e fjalës.

Gjykoni vetë: Si do të reagojë njeriu, i cili CIA-n e krahasoi me nazistët kur Këshilli për Tregun e Punës të raportojë për rritjen e papunësisë dhe për rënien e numrit të vendeve të punës në industri? Çfarë do të bëjë kur Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve të njoftojë se gjithnjë e më shumë amerikanë po e humbin sigurimin shëndetësor? Ndoshta mendoni se sulmet e tërbuara të javës së kaluar ishin të patolerueshme. Më e keqja tek do të vijë. (The New York Times)

Shpërndaje në: