Ambulancat e QKUK-së të mbingarkuara me pacientë

Ambulancat e QKUK-së të mbingarkuara me pacientë

Numër i madh njerëzish presin çdo ditë në mëngjes para ambulancave specialistike për të kryer kontroll. Ka shumë qytetarë që vijnë në QKUK nga cepet më të largëta të Kosovës për të kryer kontrolla specialistike.

Ndonëse në spital thonë se kontrollohen të gjithë, mes numrit të madh të njerëzve ekziston frika se mund të kthehen mbrapsht pa kryer punë shkaku i pritjeve të gjata, raporton rtklive.com

Ka më shumë se një orë që pret në bodrumin e Klinikës së Kirurgjisë për të kryer një kontroll për bashkëshorten e tij.

Burri rreth të të pesëdhjetave është në stres nëse do t’ia dalë për të kryer kontrollin bashkëshortes, për çka kishte kaluar 80 kilometra një drejtim.

“Këtu po i jepshin do numra tash në mëngjes dhe bazu në ata numra duhet të pritet për kontroll”, thotë Luan Gjocaj nga Istogu.

Ai ka thënë për rtklive.com se nëse nuk vjen herët në mëngjes, atëherë nuk vjen në radhë për numër dhe mund të humbasësh mundësinë për të kryer kontroll specialistik.

“Këtu gjithë pacientët vijnë një orë ose dy para se me ardh doktori dhe presin për radhë”, thotë Gjocaj, sipas të cilit, ky rregull ka grumbulluar të gjithë nevojtarët para ambulancës.

“Kështu vështirësohet puna edhe për stafin edhe për pacientët”, thotë ai.

Duke folur për vështirësitë e kryerjes së kontrollit specialistik, thotë se për të arritur në kohë iu është dashur të zgjohet në ora 5 të mëngjesit, që në ora 7 të jetë në QKUK.

“Por, këtu të gjithë provojnë me hy. Pastaj ka edhe të atillë që vijnë e hyjnë përmes lidhjeve që kanë dhe bahet këtu zhurmë e tollovi. Ja sikur sot…”, ka thënë ai.

Numër shumë i madh njerëzish presin çdo ditë për të kryer kontrollin mjekësor. Ndërkohë, shumë shërbime të specializuara nuk kanë hapësira adekuate për kryerjen e këtyre kontrollave pasi kur filloi ndërtimi i objektit të ri të ambulancave specialistike u rrënua i vjetri.

Para zyrës për mbrojtjen e pacientëve në QKUK në radhë presin dhjetëra persona me gjymtyrë të thyera apo lënduara të cilët kanë nevojë për të marrë mendimin e ortopedit.

Pacientët përballen me këtë trend me vite, derisa në QKUK thonë se në projektin e ambulantave po kryhen punimet përfundimtare.

“Projekti i ambulancave specialistike është projekt i paraparë të realizohet për disa vjet, janë duke u kryer punët e fundit”, ka thënë Shpend Fazliu, zëdhënës në QKUK.

Ai ka thënë se nevojitet buxhet shtesë në mënyrë që i tërë projekti të përfundoj dhe të funksionalizohet pjesa e ambulancave specialistike dhe administratës. “Poashtu, nevojitet edhe inventar administrativ dhe inventar tjetër medicinal e paisje mjekësore për ambulanca”, shtoi Fazliu për rtklive.com.

SHSKUK, thotë ai, është duke bërë përllogaritjet e mjeteve shtesë që nevojiten. Dhe, bazuar në këto përllogaritje, do të bëhen kërkesa që gjatë rishikimit të buxhetit të ndahet buxhet shtesë për të përfunduar në tërësi puna e ambulancave specialistike. Kjo sipas tij nënkupton edhe sigurimin e inventarit medicinal dhe administrativ.

Shpërndaje në: