Ambasadorja e Izraelit në Kosovë: Antisemitizmi dhe urrejtja nuk është ndalur edhe pas 80 viteve

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë: Antisemitizmi dhe urrejtja nuk është ndalur edhe pas 80 viteve

Sot do të përkujtohet 80-vjetori i çlirimit të kampit të përqendrimit dhe shfarosjes nazist gjerman Auschwitz.

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv, tha se në bashkëpunim me Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, sot do të organizohet një ceremoni përkujtimore për të shënuar 80-vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit dhe shfarosjes naziste, Auschwitz.

Diplomatja izraelite përmendi një rast nga Mitrovica, ku një person 95-vjeçar kishte ndihmuar në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Në zonën e Mitrovicës, jeton një burrë 95-vjeçar, i cili ka qenë ndër ata që kanë fshehur hebrenj në shtëpinë e tij ose në shtëpitë e familjes. Shpresoj ta takoj shumë shpejt,” tha ajo.

Ziv, ka ftuar të gjithë kosovarët që kanë informata për njerëzit që kanë shpëtuar hebrenjtë të kontaktojnë ambasadën.

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv, foli edhe antisemitizmi, me ç’rast tha se urrejtja nuk është ndalur edhe pas 80 viteve. “Është më rendësi që antisemitizmi, urrejtja e tillë nuk është ndalur edhe para 80 viteve, përjetohet edhe sot e kësaj dite. Është shumë me rëndësi që të shpjegohet lidhja midis gjuhës së urrejtjes dhe pasivizmit ndaj saj”, tha diplomatja izraelite.

Sot, në shënim të kësaj dite, në Kosovë do të prezantohet libri ‘Dielli Maqedonas’, i cili trajton rrëfimin e një vajze 8-vjeçare që ka ikur nga kampi në Maqedoninë e Veriut dhe është strehuar në Kosovë.

Në intervistën e saj, ambasadorja foli edhe për librin ‘Dielli Maqedonas’, i shkruar nga Efrat Baruch Altaraz. Ky libër është përkthyer së fundmi në gjuhën shqipe dhe do të prezantohet sot gjatë ceremonisë përkujtimore.

Autorja e librit, Efrat Baruch Altaraz, tha se libri në shqip është i rëndësishëm për të njohur dhe vlerësuar rolin e shqiptarëve dhe kosovarëve në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo tha se libri ‘Dielli Maqedonas’, trajton rrëfimin e një vajze 8-vjeçare që ka ikur nga kampi në Maqedoninë e Veriut dhe është strehuar në Kosovë.

Shpërndaje në: