Ambasadori i ri i BE-së në Kosovë e merr detyrën me një vizion për përparim
Ambasadori Aivo Orav, diplomat estonez me mbi 30 vjet përvojë në nivel kombëtar dhe në atë të BE-së, në diplomacinë dhe çështjet e BE-së, e mori sot detyrën si Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian në Kosovë. Ambasadori Orav, i cili më parë ka shërbyer si Përfaqësues i Përhershëm i Estonisë në BE dhe si shef i delegacioneve të BE-së në Mal të Zi dhe në Maqedoni të Veriut, vjen pas diplomatit çek, ambasadorit Tomáš Szunyog.
“Me kënaqësi të madhe dhe një ndjenjë të thellë të përgjegjësisë po e marr postin e Shefit të Zyrës së BE-së/Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, një partner i rëndësishëm i BE-së në Ballkanin Perëndimor. Zotohem se do të punoj krah për krah me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë të BE-së në Kosovë për t’i çuar përpara marrëdhëniet tona diplomatike dhe politike, për ta konsoliduar pozitën e BE-së si investitori, partneri tregtar dhe donatori më i madh i Kosovës dhe për ta mbështetur rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe reformat në lidhje me BE-në”, tha ambasadori Orav.
Duke e marrë parasysh situatën sfiduese gjeopolitike, ambasadori Orav u zotua për bashkërendimin e të gjitha pranive të BE-së në terren, duke përfshirë EULEX-in, për ta promovuar një Kosovë të qëndrueshme, paqësore, demokratike dhe multietnike.
“Gjatë mandatit tim, vizioni im është që Kosova të përparojë me vendosmëri në rrugën e saj drejt BE-së, e cila do të sjellë dobi të prekshme për popullin e saj”, tha ambasadori Orav. Ai shtoi se ndihma substanciale financiare dhe teknike e BE-së mund t’i ndihmojë Kosovës në zbatimin e reformave jetike që do ta përmirësojnë cilësinë e jetesës për të gjithë, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtave të njeriut, ekonomisë, administratës publike, funksionimit të institucioneve demokratike, energjisë, mjedisit dhe legjislacionit. Ambasadori Orav e shprehu gatishmërinë e tij për t’i kontribuar një dinamike të re në marrëdhëniet BE-Kosovë, e cila mund ta bëjë të mundur vazhdimin e ndihmës financiare të BE-së për Kosovën.
“Kosova do të përfitojë edhe nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili do t’i afrojë partnerët e Ballkanit Perëndimor të BE-së me tregun e përbashkët të BE-së, do ta nxisë rritjen ekonomike dhe do ta përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike. Unë e kuptoj se Kosova i ka pranuar mundësitë që ofrohen dhe e ka marrë një pjesë të madhe të pronësisë në përgatitjen e Agjendës së Reformave, e cila duhet të zbatohet me kohë”, tha ambasadori Orav.
Duke theksuar se BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor, ambasadori Orav përfundoi: “Meqë vij nga Estonia, një vend anëtarësimi i të cilit në Bashkimin Evropian ka qenë histori suksesi, unë jam i përkushtuar që ta bëj edhe një hap më shumë për ta mbështetur Kosovën që edhe ajo të bëhet histori suksesi e BE-së”.