Ambasadori i Britanisë së Madhe në OSBE kërkon themelimin e Asociacionit, përmend edhe sulmin në Banjskë
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka mbajtur seancë në të cilën është diskutuar raporti gjashtëmujor për Kosovën.
Aty ambasadori, Neil Holland, ka shprehur shqetësimin e Britanisë së Madhe për mungesë të progresit në normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në fjalën e tij, ai ka theksuar se kjo vazhdon të ketë implikim negativ për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
“Derisa Mbretëria e Bashkuar mirëpriti në dhjetor progresin prej udhërrëfyesit të energjisë dhe tabelave të veturave, shumë çështje fondamentale mbesin të pazgjidhura. Ne inkurajojmë të dyja palët që të angazhohen me konstruktivitet në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të punohet për obligimet respektive, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ka thënë ambasadori Neil Holland, transmeton KlanKosova.tv.
Ai ka vijuar të bëjë thirrje që Prishtina dhe Beogradi të gjejnë zgjidhje përmes të dërguarit evropian lidhur me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës.
Po ashtu ai përmend edhe votimet e fundit në katër komunat në veri të Kosovës.
“Bojkoti i fundit i votimeve për tërheqjen e kryetarëve të komunave në katër komunat veriore është një hap larg sigurimit të demokracisë përfaqësuese që meriton popullata lokale, dhe ne inkurajojmë serbët e Kosovës që të kthehen në institucione dhe t’i shërbejnë komuniteteve të tyre”.
Britania e Madhe gjithashtu i ka bërë thirrje Serbisë që të bashkëpunojë për mbajtjen përgjegjës të atyre që kryen sulmin agresor në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të 2023-ës.