Ambasadori i BE-së në Kosovë: Bashkimi Evropian do një qeveri që mban premtime

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka ndarë mendimet e tij mbi vizitën e fundit të Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, procesin e krijimit të qeverisë së re në Kosovë dhe perspektivën evropiane të vendit.
Orav shprehu shpresën që qeveria e re e Kosovës të formohet sa më shpejt dhe të jetë një qeveri stabile e gatshme për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Sipas tij, Peter Sorensen, i cili u emërua si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së vetëm një muaj më parë, e nisi vizitën e tij të parë në rajon pikërisht në Kosovë.
“Qëllimi i vizitës së tij ishte më shumë dëgjimi dhe takimi me të gjithë akterët politikë, shoqërinë civile dhe komunitetin e biznesit për të kuptuar situatën dhe hapat e ardhshëm”, deklaroi Orav.
Ai shtoi se Sorensen nuk erdhi me ndonjë ofertë apo propozim konkret, por synon të bëjë të njëjtën gjë edhe në Beograd për të përcaktuar drejtimin e mëtejshëm të dialogut.
Ambasadori i BE-së theksoi se politika e zgjerimit të BE-së është rikthyer fuqishëm dhe se Kosova duhet të jetë e gatshme për të përmbushur kriteret e nevojshme për anëtarësim. “92% e qytetarëve të Kosovës mbështesin anëtarësimin në BE dhe presin hapa konkretë nga qeveria për ta çuar përpara këtë proces”, tha Orav, duke vënë theksin tek rëndësia e reformave në sundimin e ligjit, ekonominë dhe mjedisin./Periskopi/
Kryediplomatja austriake: Dialogu Kosovë-Serbi, çelësi për rrugën drejt BE-së