Ambasadori francez kërkon që Radoiçiq dhe grupi i tij të dalin para drejtësisë
Milan Radoiçiq dhe të gjithë autorët e sulmit terrorist në Banjskë duhet të dalin para drejtësisë, thotë ambasadori i Francës në Kosovë, Olvier Guerot. Ai deklaron se KFOR-i dhe EULEX po punojnë për të garantuar paqen në veri, mirëpo shton se siguria në atë pjesë është ende e brishtë.
Diplomati francez thotë se institucionet e Kosovës duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara në veri, në mënyrë që situatë mos të përkeqësohet.
Guerot foli edhe për hapjen e urës së Ibrit dhe Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Duke folur për sulmin terrorist të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, ai thotë se presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka qenë shumë i qartë se përgjegjësit e këtij sulmi duhet të dalin para drejtësisë dhe se presim veprime nga Serbia.
“Presidenti Macron ka theksuar vazhdimisht nevojën që jo vetëm Milan Radojicic, por të gjithë autorët, autorët e mundshëm, apo autorët e dyshuar të dalin para drejtësisë. Ne i përmbahemi kësaj si një mesazh shumë i qartë që është dhënë në nivelin më të lartë dhe sigurisht presim që Serbia ta ndjekë këtë. Unë mendoj se askush nuk është i interesuar që situata në veri të përkeqësohet”, thotë ai në një intervistë për KosovaPress.
Sipas tij, situata e sigurisë në veri është e brishtë, mirëpo shton se KFOR-i dhe EULEX, po punojnë për të garantuar paqe dhe siguri në atë pjesë.
Megjithatë, ai thekson që veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të institucioneve të Kosovës, nuk janë të dobishme, duke aluduar në mbylljen e strukturave paralele serbe dhe ndalimin e qarkullimit të dinarit.
Sa i përket hapjes së urës së Ibrit, ai thotë se një gjë e tillë duhet të diskutohet në dialogun e Brukselit.
Ai e vlerëson si pozitive koordinimin e qeverisë për këtë temë.
Duke folur për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, ai thotë se përfitimet e Kosovës do të jenë të mëdha.