Ambasadori britanik: Do ta inkurajojmë Kosovën që të jetë sa më konstruktive në dialog me Serbinë, kështu mund të hiqen masat

Ambasadori britanik: Do ta inkurajojmë Kosovën që të jetë sa më konstruktive në dialog me Serbinë, kështu mund të hiqen masat

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë në kuadër të dialogut me Serbinë, për të mundësuar heqjen e masave të vendosura nga Bashkimi Evropian.

Në TV Dukagjini, Hargreaves ka deklaruar se Kosova duhet të vazhdojë të përmbushë obligimet e saj në kuadër të dialogut, përfshirë zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.

“Ne nuk jemi pjesë e BE-së dhe nuk mund të flasim në emër të tyre për mënyrën se si do të duhej të hiqeshin këto masa, por ajo që dimë është se do të bashkëpunojmë ngushtë me Kosovën dhe do ta inkurajojmë të jetë sa më konstruktive në dialog me Serbinë. Kjo është rruga më e mirë për të siguruar që masat të hiqen dhe vendet anëtare të BE-së të mirëpresin hapat pozitivë të Kosovës,” tha ambasadori.

Ai gjithashtu theksoi se në një kontekst më të gjerë të sigurisë evropiane, është e rëndësishme që Ballkani Perëndimor të luajë një rol konstruktiv në stabilitetin rajonal.

Sipas Hargreaves, Kosova duhet të vazhdojë përpara me zotimet e saj për Asociacionin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog.

“Kjo do ta ndihmojë Kosovën të vendosë një ton pozitiv në procesin e dialogut me Serbinë dhe të avancojë në drejtim të integrimeve evropiane”, përfundoi ai.

Shpërndaje në: