Ambasada e ShBA-së në Shqipëri njofton për pezullimin e fondeve

Ambasada e ShBA-së në Shqipëri njofton për pezullimin e fondeve

Ambasada e SHBA në Tiranë ka njoftuar Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë për ndërprerjen e fondeve pas urdhrit të Trump.

Kujtojmë që Departamenti i Shtetit i SHBA-së, më 24 janar, urdhëroi ngrirjen e financimeve të reja për pothuajse të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare amerikane si pjesë e përpjekjes së presidentit Donald Trump për t’i përshtatur këto programe me qëllimet e tij të politikës së jashtme.

Këto programe zbatohen kryesisht përmes Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ua dërgoi një mesazh ambasadave amerikane në mbarë botën duke sqaruar zbatimin e një urdhri ekzekutiv që Trump e nënshkroi më 20 janar, ku thuhej se “asnjë ndihmë e mëtejshme ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara nuk do të shpërndahet në një mënyrë që nuk është plotësisht e përputhur me politikën e jashtme të presidentit të Shteteve të Bashkuara”.

Sipas urdhrit ekzekutiv të Trumpit, ndihmat e tanishme amerikane “nuk janë në përputhje me interesat amerikane dhe, në shumë raste, janë në kundërshtim me vlerat amerikane”.

Fondet ndërpriten deri ne një vendim të dytë për institucionet:

  • -Ministria e Financave, përfshirë Agjencinë e Inteligjencës Financiare
  • -Ministria e Brendshme, duke përfshirë Policinë e Shtetit Shqiptar, Agjencinë e Mbikëqyrjes së Policisë dhe Qendrën e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.
  • -Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
  • Ministria e Drejtësisë, përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve
  • Ministria e Mbrojtjes
  • Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
  • Ministria e Arsimit dhe Sportit
  • Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
  • Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
  • Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët
  • Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor
  • Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
  • Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke përfshirë Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST), Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe Bursën Shqiptare të Energjisë (ALPEX)
  • Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Kundër Korrupsionit
  • Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
  • Parlamenti, duke përfshirë komisionet e tij
  • Këshilli i Lartë Gjyqësor
  • Këshilli i Lartë i Prokurorisë
  • Gjykata Kushtetuese
  • Gjykata e Lartë
  • Të gjitha gjykatat, përfshirë gjykatat e apelit, gjykatat administrative të apelit dhe gjykatat e shkallës së parë
  • Struktura e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke përfshirë Prokurorinë Speciale dhe Byronë Kombëtare të Hetimit
  • Gjykata e Shkallës së Parë të Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
  • Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
  • Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm
  • Inspektori i Lartë i Drejtësisë
  • Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Dhoma e Posaçme e Apelimit
  • Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKSK)
  • Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI)
  • Ministria e Shtetit dhe Zyra e Kryenegociatorit
  • Agjencia Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC)
  • Të gjitha pushtetet komunale

Urdhri ekzekutiv kërkon një pezullim 90-ditor të ndihmës zhvillimore ndërkombëtare të SHBA-së për të vlerësuar efikasitetin dhe “përputhshmërinë me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.

Ky urdhër i prek shpërndarjet e reja të fondeve për vendet e huaja, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare dhe kontraktorët, deri në përfundimin e rishikimeve të programeve.

Trump dhe republikanë të tjerë ishin zotuar se do të ndërmerrnin masa kundër programeve të ndihmës ndërkombëtare amerikane, dhe memoja e Rubios justifikoi ngrirjen duke thënë se ishte e pamundur për administratën e re të vlerësonte nëse angazhimet ekzistuese të ndihmës ndërkombëtare “nuk janë të përsëritura, janë efektive dhe janë në përputhje me politikën e jashtme të presidentit Trump”./euronews

Shpërndaje në: